Moldavia do të lejojë kosovarët të vizitojnë vendin

Moldavia do të lejojë kosovarët të vizitojnë vendin

Gazeta moldave, NewsMaker, i ka kushtuar një shkrim çështjes së mos-njohjes së Kosovës nga Moldavia dhe asaj se qytetarët kosovarë tash e tutje do të mund të marrin vizë për të hyrë në Moldavi.

“Kosova nuk njihet nga ato vende që kanë rajone me mendje separatiste dhe probleme me integritetin territorial. Logjika është e thjeshtë: si mund të njohësh një rajon të shkëputur nëse nuk e njeh pavarësinë e rajoneve që duan të shkëputen nga ju? Moldavia nuk e njeh Kosovën për shkak të problemit Transnistrian”, shkruan kjo gazetë.

Ndërsa, sipas ish-përfaqësuesit të përhershëm të Moldavisë në Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Evropës, Alexei Tulbure, vendosja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës është sinjal që Moldavia është gati ta njohë Kosovën.

“Në përgjithësi, kjo i përshtatet pozicionit të Perëndimit. Dikur nuk e njihnim Kosovën për shkak të problemit të Transnistrisë. Tani çështja Transnistriane do të zgjidhet në një mënyrë tjetër – jo ashtu siç menduam dhe jo siç e kemi bërë për 30 vjet”, tha Tulbure.

Mirëpo, ish-zëvendëskryeministri për Integrimin në Qeverinë e Moldavisë, Alexandru Flenchia, u shpreh se “për të mbetet një mister se si do t’u jepen viza mbajtësve të pasaportave që Moldavia nuk i njeh”.

“Nëse ligji funksionon vërtet, ai do të bëhet një precedent që do të ndikojë në procesin e zgjidhjes së Transnistrian. Është e vështirë të parashikohet se si do të ndodhë kjo, por është e qartë se veprime të tilla nuk do të lehtësojnë detyrën e bashkimit të vendit”, shtoi Flenchia.

Më 1 qershor, kryqyteti moldav Kishinau do të presë një samit të Komunitetit Politik Evropian. Kosova është pjesë e komunitetit dhe delegacioni i Kosovës mori pjesë në mbledhjen themeluese në Pragë.

“Ky ishte argumenti kryesor i një grupi deputetësh të Partisë Veprim dhe Solidaritet, të cilët hartuan një projektligj që do të vendoste viza për njerëzit që e zotërojnë pasaportën e Kosovës. Më 16 mars, parlamenti do ta shqyrtojë këtë draft në lexim të dytë”.

Sipas këtij projektligji, të gjithë ata që kanë pasaportë të Kosovës do të mund të marrin viza elektronike afatshkurtra për të marrë pjesë në forumet ndërkombëtare të organizuara nga Moldavia.

Por, kjo situatë nuk ishte e njëjtë më herët, sepse ishte e pamundur që me pasaportë të Kosovës të udhëtoje në Moldavi, ndër rastet më problematike ishte shorti i kualifikimeve në kuadër të Ligës së Kombeve, ku Moldavia dhe Kosova ishin me një grup.

Kjo kishte bërë që Moldavia lojën e saj si vendase të mos e luante në Kishinau, por kishte zgjedhur terren neutral duke e përzgjedhur Italinë, paçka se Kosova nuk e kishte bërë të njëjtën, loja ishte luajtur në Prishtinë, pasi që autoritetet e kosovare i kishin pajisur me viza lojtarët moldav.

Megjithatë, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme dhe Integrime Evropiane, Doina German, e cila është bashkëautore e projektit, i tha gazetës moldeve se kushdo me pasaportë të Kosovës “mund të marrë vizë, pavarësisht qëllimit të vizitës”.

Related Articles