Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka komentuar takimin mes kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq në Bruksel.
E keqja kryesore e takimit, sipas Molliqajt, është se ai zgjodhi të shkojë në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe jo nga Amerika.
I pari i PSD-së ka një arsye që e shtyn të mendojë kështu.
“Kështu që e keqja e kësaj nuk është që po nisë dialog e as që po shkon Kurti në takim me Vuçiqin normalisht, edhe për këtë, e ka përgjegjësinë për atë që e ka thënë dhe e ka bërë. Po e keqja kryesore këtu është që ai po shkon në kornizën që tashmë është vendosur nga ndërmjetësuesi i BE-së e që është kornizë që Kosovën e çon drejt një asociacioni me kompetenca ekzekutive që në praktik do të jetë autonomi territoriale politike për serbët në Kosovë”, deklaroi Molliqaj për Front Online.
Molliqaj: Kurti do ta themelojë Asociacionin, s`ka rrugë tjetër
Molliqaj, tutje, tha se meqë Kurti ka pranuar dialogun e ndërmjetësuar nga BE, atij me patjetër do t`i duhet ta pranojë edhe themelimin e Asociacionit.
“Nuk ka rrugë tjetër Kurti se në momentin që e pranon kornizën e dialogut do ta pranosh edhe rezultatin. Në gjasat e vogla hipotetike që mund ta refuzoj, ashtu siç vet Kurti e ka cilësuar, në kohën e dialogut të Uashingtonit, ku patë thënë se unë (Kurti) nuk mund të shkoj në proces e me thanë jo në fund të procesit se nëse them jo në fund të procesit, do ta prishim marrëdhënien shumë më thellësisht me Amerikën”, u shpreh Molliqaj.
Megjithatë i pari i PSD-së nuk beson se kjo do të zgjidh problemet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Fakti që Kurti i ka thënë PO procesit, po merr pjesë në proces dhe në këtë kornizë të dialogut, atëherë të gjitha shenjat tregojnë se do të ketë pranim të kësaj logjike të zgjedhjes së problemit në mes Kosovë dhe Serbisë, që në fakt nuk do të jetë zgjidhje”, u shpreh Molliqaj.
Molliqaj: S`ka dilema, Kurti po i pranon ato tema që dikur i kundërshtonte
Kryetari aktual i PSD-së, Dardan Molliqaj, për një kohë të gjatë ishte krah Albin Kurtit, liderit të Vetëvendosjes. Sa ishin bashkë në këtë të fundin, të dy kundërshtuan ashpër disa tema, mes tjerave, edhe asociacionin.
E tash kur i kanë ndarë rrugë, Molliqaj, akuzon ish-bashkëpartikun e tij tani kryeministrin e Kosovës për lëshim të parimeve.