Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i ka ardhur një ftesë për të marrë pjesë në samitin e nismës “Ballkani i Hapur”, që do të mbahet më 7 dhe 8 qershor në Shkup. Ftesa i është dërguar nga Kryeministri i Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski.
Kurti i është përgjigjur homologut maqedonas me një letër ku ka folur për këtë nismë, por nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Në letrën që i ka dërguar Kovaçenskit, Kurti ka thënë se Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit, i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në vitin 2020 dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.
“Për këtë qëllim, ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian”, thuhet në letër.
Sipas Kurtit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të punojnë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajon.
“Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”, shkroi Kurti.
Kurti kishte kritikuar nismën “Ballkani i Hapur”, duke thënë se më shumë i ngjan një “Ballkan të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për treg të përbashkët për vendet e rajonit.
Sipas Kurtit, kjo nismë, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duhet të shoqërohet edhe me ballafaqimin me të kaluarën të Serbisë, dhe të presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq.
“Nuk mund të them se jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’, pasi që duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, për korrupsionin, për kriminelët e luftës të cilët, siç e dimë të gjithë ne, vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por edhe jo pak prej tyre edhe në pushtet”, kishte thënë Kurti vjet.
Ndryshe, Kosova kundërshton nismën “Ballkani i Hapur”, duke këmbëngulur në atë që Kosova duhet të përfaqësohet si e barabartë, gjegjësisht, si shtet i pavarur brenda cilitdo proces, përfshirë edhe nismën “Ballkani i Hapur”.
Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.