Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon përpjekjet për të thyer bllokadën institucionale në Kuvend, përmes një raundi të ri konsultimesh me partitë politike.
Pas takimeve që zhvilloi një ditë më parë me liderët e partive kryesore, Osmani pritet t’i japë vazhdim këtij procesi edhe sot, duke takuar përfaqësuesit e partive që nuk bëjnë pjesë në shumicën parlamentare.
Bashkëkryetari i Guxo, Faton Peci, konfirmoi të mërkurën se ka marrë ftesë për takim nga presidentja, që pritet të mbahet sot në orën 09:00. Edhe deputetja boshnjake, Duda Balje, bëri të ditur se do të marrë pjesë në takim të enjten.
Në ditën e parë të takimeve, presidentja Osmani ka pritur në Presidencë kryetarin e VV-së, Albin Kurti, atë të PDK-së, Memli Krasniqi, të LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në deklaratën e saj pas takimeve, Presidenca theksoi se Osmani u ka kërkuar liderëve që, sa më shpejt dhe brenda afatit kushtetues 30-ditor, të arrijnë një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit.