MSh-ja: Koha për vaksinim është tani

MSh-ja: Koha për vaksinim është tani

Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohet kundër COVID-19.

Nga kjo ministri kanë thënë se tani është koha për vaksinim për të shmangur rrezikun e shtimit të infeksioneve të reja e fatalitetit.

“Koha për vaksinim është tani, për të shmangur rrezikun e shtimit të infeksioneve të reja, reduktimin e hospitalizimeve dhe fataliteteve”, kanë shkruar nga MSH-ja.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se në 24 orët paraprake kanë administruar 2 mijë e 285 vaksina kundër COVID-19.

Në Kosovë, fushata e imunizimit ka filluar në fund të marsit që atëherë e deri më 2 dhjetor janë administruar 1 milion e 619 e 802 doza të vaksinës.

Me dy doza të vaksinës janë vaksinuar 763 mijë e 652, me një dozë 856 mijë e 150 persona.

Në Kosovë përdoren vaksinat e Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

Të drejtë për t’u vaksinuar kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç.

Vendimi për dozën e tretë dhe dozën përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 pritet të merret shumë shpejt edhe në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë kishte sqaruar se cilët persona do të marrin dozën përforcuese.

Sipas MSH’së dozë përforcuese do të marrin personat që janë vaksinuar plotësisht me dy doza, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti ka ardhur duke rënë kurse dozën e tretë të vaksinës anti-COVID do ta marrin ata persona tek të cilët dy dozat fillestare nuk kanë krijuar imunitet të mjaftueshëm.

“Me dozë përforcuese apo dhe me dozë të tretë, varësisht se për cilën bëhet fjalë, vaksinohen të moshuarit, personat me imunitet të dobët, profesionistët shëndetësorë, por nuk përjashtohen as kategori të tjera”, thuhet në përgjigjen e MSH’së për AP.

Po ashtu, infektologët së fundmi kanë kërkuar që masat kufizuese ndaj COVID-19 të ashpërsohen pasi varianti i ri Omicron, është cilësuar si shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë./Gazeta Enigma“/

Related Articles