Kosova është ndër vendet e fundit që nisi vaksinimi antiCOVID. Falë donacioneve të ndryshme nga shtetet e huaja u arrit që në muajin mars të nis edhe vaksinimi për qytetarët tanë.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se deri tash numri i vaksinimeve në ditë ka shkuar në 8 mijë, e që pritet që gjatë kësaj jave ky numër të rritet. Por përpos shpërndarjes së këtyre vaksinave, raportime të ndryshme pati lidhur me mos-rregullimin e duhur të shpërndarjes së këtyre vaksinave.
Përpara se të vaksinohen disa në mosha më të shtyra është bërë e ditur se persona në moshë të re janë vaksinuar,edhe atë përmes mënyrës së njohur në Kosovë “me të njohshëm”. Por lidhur me këtë në një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë është theksuar se ka shumë të rinj nga profesionet mjekësorë nën moshën 65 vjeç të cilët vaksinohen, si infermierë, teknikë mjekësor e mjek.
“Po ashtu edhe persona më të ri se 65 vjeç, pro që janë të prekur nga sëmundjet kronike. Gjithashtu edhe persona me sëmundje malinje, policë, pjesëtarë të FSK-së apo edhe mësimdhënës”, u tha tutje në përgjigjen e MSh-së për lajmi.net.
Madje sipas MSh-së caktimi i personave të cilët marrin vaksinën bëhet vetëm përmes platformës eKosova dhe në asnjë mënyrë tjetër.
“Caktimi i termineve bëhet përmes platformës eKosova, online dhe vet sistemi i përcakton terminet në bazë të dozave në dispozicion. Personat që deklarohen se janë me sëmundje kronike, duhet të kenë dëshmi mjekësore me vete në qendrën e vaksinimit, kur të shkojnë për t’u vaksinuar”.
Gjatë ditëve të fundit nga Drejtoritë e Shëndetësisë nëpër komuna të ndryshme u raportua për mungesë të dozave të vaksinave, por që sipas Ministrisë së Shëndetësisë nuk pati mungesës të vaksinave, por pati numër të termineve të kufizuara. Një deklarim të ngjashëm e patën edhe nga Komuna e Gjilanit, ku u tha se ka mungesë të dozave të vaksinave antiCOVID.
“Numri i termineve ka qenë i kufizuar, por mungesë të vaksinave nuk ka pasur. Gjatë kësaj jave sistemi do të mundësojë aplikime të shumta për qytetarët që të vaksinohen, sepse janë siguruar numër shumë më i madh i vaksinave që ka pasur deri më tani”, u tha nga Ministria e Shëndetësisë.
Shteti i Norvegjisë së fundi bëri të ditur se do t’i dhurojë Kosovës 180 mijë doza të vaksinës antiCOVID, gjë për të cilën MSh nuk ka datë të saktë se kur do t’i pranojnë ato. Sipas tyre janë duke u kryer të gjitha përgatitjet që të bëhet pranimi i vaksinave donacion nga Norvegjia.
“MSh po kryen përgatitjet që të bëjë pranimin e mbi 1800 000 vaksinave donacion nga Norvegjia. Shpresojmë që pranimi i tyre do të jetë i shpejtë”.
Edhe pse tani për tani situata e përballjes me virusin COVID-19 është qetësuar dhe numri i i rasteve me koronavirus pati rënie, nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se Kosova duhet të jetë e përgatitur për çdo lloj skenari që mund të paraqitet sa i përket këtij virusi.
“Nëse do të ketë valë të tjera të virusit apo jo, përgjigjen më të mirë në këtë aspekt duhet ta japin ekspertët e shëndetit publik, por Kosova duhet të jetë gati për çdo lloj të skenarit që mund të paraqitet sa i përket COVID-19”, u tha në përgjigjen me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë.