Përçarja mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Albin Kurti, dikur aleatë të ngushtë politikë, nisi të bëhej e dukshme pas konsolidimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Bashkëpunimi që kishte karakterizuar periudhën e ardhjes së tyre në pushtet gradualisht u zëvendësua me distancim publik dhe mospajtime të heshtura, të cilat me kalimin e kohës u reflektuan në deklarata publike, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në deklarata publike u përmendën shpesh dallimet për koordinimin me aleatët ndërkombëtarë, mënyrën e përfaqësimit të Kosovës jashtë vendit dhe kufijtë e kompetencave ndërmjet presidencës dhe qeverisë, ndërsa raportet mes Osmanit dhe Lëvizjes Vetëvendosje u ftohën gradualisht deri tek thyerja e plotë e marrëdhënieve të tyre, që u karakterizua me mos propozimin e Osmanit për mandatin e dytë si presidente, nga ana e VV-së.
Sipas analistit, Arton Muhaxheri, arsyeja e prishjes së raporteve mes Kurtit dhe Osmanit ndodhi për shkak të marrjes së një roli më protagonistik në disa procese shtetërore nga kjo e fundit.
“Përçarja mes Vjosa Osmani dhe Albin Kurti ka ardhur si rezultat i zhvillimeve të fundit politike, ku Osmani ka marrë një rol më aktiv dhe më protagonistik në procese të rëndësishme shtetërore. Kjo duket se nuk është pritur mirë nga Kurti, sidomos duke pasur parasysh se ai ka arritur të fitojë një mbështetje të fuqishme elektorale edhe pa pasur nevojë për të njëjtin nivel mbështetjeje nga ajo. Si rrjedhojë, nga një aleate e mëhershme, Osmani sot perceptohet më shumë si pengesë politike për të”, tha ai.
Muhaxheri nuk e sheh Osmanin si kundërshtaren kryesore të Kurtit në rast të zgjedhjeve të ardhshme.
“Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme, nuk e shoh Vjosa Osmani si kundërshtaren kryesore të Albin Kurti, por më tepër si një nga kundërshtarët e mundshëm në skenën politike, në varësi të rrethanave dhe zhvillimeve”, shtoi ai.
“Ndërsa për stabilitetin politik, Kosova vazhdon të përballet me mungesë stabiliteti, pavarësisht se qeveriset nga një parti me shumicë të fortë. Ndarja mes tyre nuk pritet të ketë ndonjë ndikim vendimtar në stabilitetin e përgjithshëm të vendit”, përfundoi Muhaxheri në një prononcim për Gazetën “Enigma”. / Gazeta Enigma.
