Mundësia e shtyrjes së fillimit të mësimit, reagon SBASHK-u

Mundësia e shtyrjes së fillimit të mësimit, reagon SBASHK-u

Sekretari i SBAShK-ut, Ymer Ymeri, deklaroi se janë pro fillimit të mësimit online, sepse sipas tij më mirë kështu se të mos mbahet mësimi fare.

“Jemi të brengosur me deklaratat dhe informatat që i kemi për shtyrje përsëri të procesit mësimor, meqë i kemi humbur 18 ditë mësimi dhe është vështirë që ato ditë të kompensohen për shkak të ngarkesës së madhe për nxënësit”, tha Ymeri.

“Dëshirojmë që të hënën më 27 shtator të nis fillimi i vitit shkollor, por institucionet e shëndetësisë publike kanë për ta dhënë vendimin e fundit. Megjithatë ne si SHBAShK mendojmë që shkollat të fillojnë mësimin nga distanca, edhe pse me gjithë mangësitë që e ka kjo mënyrë mësimi, më mirë të mbahet mësimi se sa të mos mbahet fare”, deklaroi ai për Klan Kosova.

Ymeri po ashtu shtoi se mësimdhënësit janë të gatshëm për ta filluar procesin mësimor dhe se rreth 93 për qind e tyre janë vaksinuar.

“Pjesa e mbetur janë kryesisht mësimdhënëse shtatzëna që janë të liruar nga procesi mësimor dhe ata me sëmundje kronike që s’kanë mundur të vaksinohen, pra pjesa që duhet të paraqiten fizikisht në shkollë janë të gatshëm dhe të vaksinuar për procesin mësimor”, përfundoi Ymeri.

Related Articles