Në gjykimin që po zhvillohet ndaj Enver Sekiraqës, i cili po akuzohet për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës, në seancën e së enjtes, ishte paraparë të dëshmojë këngëtarja, Adelina Ismaili, mirëpo e njëjta nuk është paraqitur në gjykatore.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Agim Kuçi, për të njëjtën në fletëkthesë është shënuar se është adresa e panjohur.
Në gjykatore nuk janë paraqitur as motrat e saj, Zanfina e Ema Ismaili, ku për të njëjtat në fletëkthesë është shkruar se adresa rezulton e panjohur.
Seanca në këtë rast po vazhdon me dhënien e dëshmisë së dëshmitares Kaltrina Berisha, e cila ka deklaruar se bashkëshorti i saj të akuzuarin Sekiraqa e ka djalë të hallës.
Në seancën e fundit të mbajtur më 8 shtator, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuqi, kishte njoftuar se në këtë seancë do të dëgjohen dëshmitaret Adelina, Ema dhe Zanfina Ismaili si dhe Kaltrina Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.