Kanë mbetur vetëm edhe 90 minuta në mbyllje të siparit për edicionin 2020/21 në Superligë, ndërkohë skuadra e Gjilanit është njëra nga ato ekipe që luan pa objektiva. Megjithatë pa objektiva ‘kuqebardhët’ nuk do të jenë në edicionin e ri, teksa synohet titulli i parë në histori të klubit, shkruan Gazeta Enigma.\
Këtë e ka potencuar edhe trajneri i kësaj skuadre, Ismet Munishi tha se tashmë kanë filluar të punojnë në projektimin e një ekipi kompetitiv që do të luftojë fuqishëm për titullin e kampionit.
“Në edicionin e ri ne do të luftojmë fuqishëm për titullin kampion. Do ta ndryshojmë stilin e lojës dhe do të ketë ndryshime në kuadrin e lojtarëve. Do të sjellim futbollistë të stilit të cilin ne e kërkojmë dhe ku do të arrijmë do të varet nga shumë faktor, mirëpo ne që nga ndeshja e parë do të futemi për titullin kampion”, deklaroi Munishi.
Tekniku i “Skifterave” theksoi se do të sjellin edhe disa futbollistë për ta shtuar konkurencën brenda ekipit.
“I kemi identifikuar disa futbollistë të rinjë brenda klubit dhe disa futbollistë të cilët priten të vijnë. Besoj në një Gjilan të fuqishëm dhe për këtë do të punojmë shumë”, deklaroi Munishi, për RTV Dukagjini.
Edicionin 2020/21 skuadra e Gjilanit do ta mbyll në pozitën e katërt të renditjes tabelare, ndërkohë që ndeshjen e fundit të këtij kampionati do të ndeshet me Besën e Pejës.