Gjilani mbeti jashtë objektivave të klubit në këtë edicion dhe kjo ka ndikuar që përgatitjet për sezonin e ri të fillojnë menjëherë.
Skuadra e Ismet Munishit ka ‘blinduar’ futbollistët kryesor të klubit, dhe tani po përgatitet edhe për transfere të reja. Në një prononcim për “Gazeta Olle”, Munishi ka folur rreth rinovimit të kontratave me disa futbollistë, kushtet që nga ardhja e tij në klub dhe transferet e ardhshme.
Fillimisht, trajneri i “kuqebardhëve”, u shpreh i kënaqur me kushtet në klub dhe zbuloi projektin për edicionin 2021/22.
“Deri tash jam shumë i kënaqur me kushtet që i kemi te skuadra e Gjilanit. Kemi bërë planin dhe projektin për sezonin e ardhshëm, me shumicën prej lojtarëve i kemi vazhdu kontratat, dhe normalisht që jemi në shikim të transferimeve të reja në klub”, tha fillimisht ai.
Tutje, Munishi u shpreh se skuadra e tij do të jetë shumë konkurruese në sezonin e ri, dhe do të ketë transfere të reja.
“Gjithsesi do të kemi një Gjilan shumë të fortë, shumë kompetitiv dhe do të kemi një lojë të bukur, poashtu do ti kënaqim edhe futbolldashësit dhe tifozët tanë të flaktë “Skifterat”. Besoj që do të ketë super-transfere e mini-transfere, dhe lojtarë që do të zbulojmë nga brenda klubit”.
Tekniku prishtinas foli edhe për nevojën e konkurrencës në klub, dhe rinovimet me futbollistët kyç të skuadrës.
“Kemi shumë lojtarë interesant në mesin tonë që ndoshta nuk kanë pasur rastin të dëshmohen deri më tani. Do të jetë një Gjilan i mundësive për futbollistët dhe do ta mbajmë rregullin që secilit ti japim atë që meriton. Deri tash jam shumë i kënaqur me rinovimin e këtyre futbollistëve sepse me të vërtetë bëhet fjalë për lojtarë cilësor dhe baza dhe boshti i ekipit është aty. Normalisht kemi nevojë të rritet konkurrenca por gjithmonë me futbollista që i njohim mirë, që mos të gabojmë në transferime, sepse unë kam bindjen që në këtë klub është gabu shumë në transferime, sidomos në vitin e kaluar”, tha Munishi për Olle.
Kejt në fund, ai zbuloi nëse do të ‘peshkojë’ ndonjë lojtar te rivali i madh lokal, Drita.
“Neve na interesojnë vetëm futbollistat e mirë, dhe normalisht që te të gjitha skuadrat që kanë qenë në garë për titull ka pasur futbollistë cilësor dhe normalisht që ne do të bëjmë çmos që të sjellim futbollista cilësor te ne. Kjo nënkupton që neve nuk na pengon aspak te rivali lokal apo te ndonjë skuadër tjetër, ne jemi të interesuar që të bëjmë skuadër të mirë dhe kjo ka rëndësi”, përfundoi tekniku i Gjilanit, Ismet Munishi.
Kujtojmë se detyrën te skuadra e Gjilanit, Munishi e mori thuajse në fund të sezonit kur klubi ishte jashtë objektiva, shkruan gazeta.ole.