Ministri i Financave, Hekuran Murati ka udhëzuar kompanitë private që të shfrytëzojnë masën për subvencionim deri në 50 për qind për rritjen e pagave të punëtorëve.
Në një deklarim në rrjetin social Facebook, Murati ka thënë se është koha që bizneset t’i ndajnë fitimet e shtuara bashkë me punonjësit e tyre.
“Çmimet janë rritur, por bashkë me çmimet, shumica e bizneseve kanë rritur edhe fitimet.Andaj është koha që fitimet e shtuara, bizneset t’i ndajnë me ata që ua mundësojnë të kenë fitim – pra punëtorët. Sidomos tani kur jeta është bërë më e vështirë si rezultat i çmimeve më të larta”, tha sot Murati.
Ai tha se qeveria do t’i mbështes me 50 për qind të pagës për tre muajt e parë të gjitha bizneset që shfrytëzojnë këtë masë.
“Për ta bërë më të lehtë, qeveria do të mbështesë secilin biznes që rrit pagat e punëtorëve duke subvencionuar 50% të rritjes së pagës, për 3 muajt e parë, sipas kushteve dhe kritereve të aplikueshme”, tha ai.
Murati bëri të ditur se secili biznes privat mund të aplikojë në platformën EDI deri më 20 dhjetor.