Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati i është kundërpërgjigjur kritikave të opozitës lidhur me çështjen e faljes së gjobave të bizneseve dhe qytetarëve gjatë pandemisë, shkruan Gazeta Enigma.
Duke iu kundërpërgjigjur deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, Murati tha se deputetët kanë nevojë që t’u sqarohet se si funksionon shteti.
“Z.Lekaj po thoni se ne po vijmë këtu që gjoja me ju sqarua se si funksionin shteti, mirëpo me të vërtetë është e nevojshme. Hiç më larg se kur keni qenë në qeveri, ka qenë vet kryeministri asokohe, z. Haradinaj që thoshte se po e harxhojë rezervën, se mos me e harxhu po hup, e me e harxhu po mbushet vitin tjetër. Ky është konceptimi që e keni për buxhetin ju. Patjetër që duhet me ju shpejgu, se çka është rezerva dhe si mbushet ajo rezervë”, ka thënë Murati.
Ministri theksoi se deputetët dhe qytetarët janë të barabartë dhe se të gjithë duhet që t’i paguajnë gjobat e pandemisë.
“Unë e di që ka deputet edhe brenda grupit tuaj parlamentar që është dënuar dhe qe e ka paguar dënimin. Gjobat janë kundërvajtje dhe jo vepër penale. Deputeti mund të dënohet. Patëm lajme edhe për deputet të tjerë që janë dënuar. Kur dënohet deputeti janë të barabartë me qytetarin dhe duhet ta paguajnë gjobën të gjithë”, deklaroi Murati.
Ndër të tjera, Murati ia përmendi Lekajt edhe marrëveshjen me një kompani e që, sipas Muratit u ka vendosur harraq qytetarëve prej 100 euro.
“Ju z.Lekaj doli në lajme që kundërligjshëm keni nënshkruar një vazhdim të monopolit me kompaninë ‘Eurolab’ edhe pse në seancë pati thënë që nuk e keni nënshkruar. Tash ju që bëni këso gjërash në dëm ë të qytetarëve, për një moment ju ka ra në mend për qytetarët dhe se duhet me i fal qytetarët. Ju i keni dëmtuar xhepat e qytetarëve dhe u keni qit haraq prej 100 euro për çdo veturë. Tash ju e dilni e folni për këta qytetarë”, ka thënë Murati.
Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, gjatë fjalimit të tij në seancën ku është duke u debatuar për faljen e gjobave antiCOVID-19, e ka pyetur ministrin e Financave, Hekuran Murati, se pse nuk po zbatohet Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.
Hamza gjatë fjalës së tij po ashtu se nuk është korrekte nga kjo qeveri që të ngatërrohen tatimet me gjobat.
“Tatimet janë diçka tjetër. Nuk është mirë me i ngarku periudhat para pandemisë edhe gjatë pandemisë. Ne kemi edhe dy vendimet të Gjykatës Kushtetuese të cilat i kanë shpallur anti-kushtetuese vendimet e Qeverisë”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kosova sa i përket menaxhimit të ekonomisë është e fundit e madje siç tha ai edhe përballë vendeve të rajonit.
“Që 6 muaj ky ligj nuk po zbatohet. Ministër, pse nuk po zbatohet ligji për rimëkëmbje? “, pyeti ndër të tjera Hamza.