Murati i reagon opozitës: Nëse nuk zgjidhet Kryetari i Kuvendit, s’ka as nënkryetarë për opozitën

Murati i reagon opozitës: Nëse nuk zgjidhet Kryetari i Kuvendit, s’ka as nënkryetarë për opozitën

Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, raporton Gazeta “Enigma”.

Murati përmes një postimi në Facebook ka drejtuar kritika ndaj opozitës, të cilën e akuzon për bllokimin e procesit konstituiv, duke theksuar se LVV, si fituese e zgjedhjeve ka përmbushur obligimin kushtetues duke propozuar kandidaten për kryetare të Kuvendit.

“Posti i Kryetarit të Kuvendit i takon partisë fituese, kështu e thotë Kushtetuta, dhe kjo tashmë është qartësuar edhe me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, që thotë se të gjithë deputetët e kanë për obligim të votojnë. Kushtetuta e kërkon që në postin e Kryetarit dhe Nënkryetarëve mund të zgjedhen vetëm personat që janë bërë deputetë, pra nuk mund të zgjedhet dikush që nuk është bërë deputet”, ka shkruar ai.

Tutje Murati ka theksuar se nëse nuk zgjidhet Kryetari i Kuvendit, s’ka as nënkryetarë për opozitën.

“Kjo len të kuptohet që secili deputet i zgjedhur është i denjë për postin e Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarëve, por që diskrecioni për të propozuar se cili nga deputetët bëhet Kryetar i Kuvendit i takon partisë fituese, përkatësisht propozimi se cilët deputetë bëhen Nënkryetarë të Kuvendit u takon tri partive më të mëdha”, tha ai.

Tutje Murati ka shtuar se “ngjashëm sikurse nuk na takon neve të vlerësojmë se kë e propozojnë PDK e LDK për pozitën e Nënkryetarit, për aq sa e plotësojnë kushtin të jenë deputetë të zgjedhur, e njëjta vlen edhe për postin e Kryetarit të Kuvendit – e drejta ekskluzive e propozimit i takon LVV-së si parti fituese, dhe përderisa plotësohet kushti i të qenit deputet i zgjedhur, të gjithë deputetët e Kuvendit duhet ta votojnë, në pajtim me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese”.

“Po të mos propozonte fare Lëvizja Vetëvendosje emër për pozitën e Kryeparlamentarit, do të mund të quhej bllokuese e procesit. Ne e kemi propozuar emrin, por opozita po refuzon t’a votojë. Kësisoj, bëhet e qartë se kush po e bllokon procesin”, derklaroi ai.

Sipas tij “interpretimi dhe qëndrimi i opozitës, pashmangshëm do ta çonte Kuvendin në një bllokadë tjetër, të patejkalueshme”.

“Po qe se insistohet që barra për të bërë 61 vota i takon vetëm partisë fituese, e jo të gjithë deputetëve siç e ka thënë tashmë Gjykata Kushtetuese, ateherë ky lloj interpretimi na dërgon menjëherë në ngërçin tjetër, ku partitë opozitare nuk arrijnë të bëjnë votat e nevojshme për propozimet e tyre për Nënkryetarë të Kuvendit?”.

“Sepse nëse barra e sigurimit të 61 votave i bie secilës parti, e jo të gjithë deputetëve siç e kërkon Kushtetuta, atëherë në momentin kur partia fituese i ka 61 vota për postin e Kryetarit, kjo nënkupton që partitë opozitare mbesin me vetëm 59 vota apo më pak, dhe me të njejtën logjikë nuk do të arrijnë kurrë që të zgjedhin Nënkryetarët e Kuvendit”, tha ai.

“Ne si parti fituese jemi të interesuar që të vazhdojmë tutje. Ftojmë edhe partitë opozitare që të lexojnë saktë rezultatin zgjedhor, e të respektojnë Kushtetutën, duke zhbllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit”, ka përfunduar Murati. /Gazeta Enigma/

Related Articles