Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq do të nxirret në shitje gjatë verës nga skuadra e Manchester Cityt, kanë njoftuar mediumet angleze.
Bëhet e ditur se te City nuk llogarisin më te portieri shqiptar, i cili u huazua para fillimit të këtij edicioni për të fituar përvojë dhe minutazh më të madhe në ekipet tjera.
Fillimisht, Muriq u huazua verën e shkuar te ekipi i kategorisë së dytë të Spanjës, Girona përpara se të huazohej në Holandë në fillim të këtij viti, te skuadra Willem II. Mësohet se te City nuk janë të bindur nga paraqitjet e tij, dhe i cili pas përfundimit të sezonit aktual do të shitet.
Edhe sezonin e shkuar ishte i huazuar te Nottingham Foresti por nuk pati minutazh të madhe.
22-vjeçari nga Kosova iu bashkua skuadrës angleze në fillim të vitit 2015 nga të rinjtë e Zuerichut kurse në edicionin 2018/19 arriti të debutojë me ekipin e parë të Cityt.
Kontrata e tij me ekipin anglez ka afat deri në vitin 2024 kurse kartoni i tij vlerësohet rreth 1.5 milionë euro./Koha.net