Vendimi i Elon Musk për të biseduar me lideren gjermane të ekstremit të djathtë Alice weidel në një transmetim të drejtpërdrejtë në ‘X’ ka ngjallur zemërim te ligjvënësit e Bashkimit Evropian, të cilët të hënën i kërkuan Brukselit të përdorë fuqinë e tij të plotë ligjore për të frenuar manjatin miliarder të teknologjisë.
Në përgjigjen e tij, Komisioni Evropian tha se themeluesi i SpaceX dhe anëtari i lartë i administratës së ardhshme të Donald Trump do të duhet t’u përmbahet kushteve dhe rregullores së re dixhitale të BE-së, në varësi të masës në të cilën transmetimi i drejtpërdrejtë i së enjtes mendohet se e nxit Weidel në mënyrë të padrejtë ndaj rivalëve përpara zgjedhjeve të 23 shkurtit në Gjermani.
Në të gjithë Evropën, bashkimi me Weidel shihet si një hap nxitës pasi anëtarët e partisë së saj populiste dhe anti-emigracion Alternativa për Gjermaninë (AfD) janë akuzuar prej vitesh për zbardhjen dhe banalizimin e krimeve naziste.
Presidenti francez Emmanuel Macron ishte ndër të parët që akuzoi Muskun se kishte shkuar shumë larg në mbështetjen e tij për AfD.
“Dhjetë vjet më parë, kush mund ta imagjinonte nëse do të na kishin thënë se pronari i një prej rrjeteve sociale më të mëdha në botë do të mbështeste një lëvizje të re reaksionare ndërkombëtare dhe do të ndërhynte drejtpërdrejt në zgjedhje, përfshirë Gjermaninë” tha ai në një fjalim, në Pallatin Elysee.
Presioni është tani mbi Komisionin Evropian që të përgjigjet, duke pasur parasysh se ai është përgjegjës për zbatimin e Aktit të Shërbimeve Dixhitale të Evropës, i cili kontrollon platformat e mediave sociale duke përfshirë X, dhe kërcënon me gjoba marramendëse deri në 6 për qind të xhiros globale, apo edhe të përkohshme.
Problemi kryesor me të cilin Musk do të përballej ligjërisht sipas DSA nuk ka të bëjë me përmbajtjen, por masën në të cilën ekspozimi në një platformë aq të madhe sa X do t’i jepte AfD-së një avantazh të padrejtë publik ndaj rivalëve të saj përpara një procesi zgjedhor.
Ish-zbatuesi dixhital i BE-së Thierry Breton tha se Ëeidel do t’i ofrohet një “përparësi e rëndësishme dhe e vlefshme” ndaj konkurrentëve dhe i kujtoi Musk që t’u përmbahet detyrimeve të ligjit të BE-së për mediat sociale.
Eurodeputetja gjermane e të Gjelbërve, Alexandra Geese e përcaktoi problemin si më poshtë: “Elon Musk që bisedon me lideren e AfD Alice Weidel në X mbulohet nga liria e shprehjes. Manipulimi i tij algoritmik, [i cili] po vërshon qëllimisht në linjat kohore gjermane me propagandë të ekstremit të djathtë dhe po mbyt përmbajtjen progresive.
Kur u përball me pyetje të tilla nëse Musk mund të nxiste në mënyrë të pahijshme axhendën politike të Ëeidel me transmetimin e drejtpërdrejtë të së enjtes, zëdhënësi i Komisionit Thomas Regnier tha se kishte një ngarkesë të veçantë në platformat shumë të mëdha në lidhje me paraqitjen e përmbajtjes që paraqiste “rrezik për proceset zgjedhore”.
“Sa është aktualisht dhe a do të rritet?’ Kjo është ajo që Komisioni do të shikojë” tha ai, duke vënë në dukje se Brukseli tashmë kishte studiuar përputhshmërinë e X me DSA për më shumë se një vit.
Regnier shtoi se Komisioni, rregullatorët gjermanë dhe X do të takohen për një tryezë të rrumbullakët diskutimi më 24 janar për të diskutuar rreziqet që lidhen me zgjedhjet e shkurtit.
Ndjekja e veprimeve ligjore kundër një manjati të madh të teknologjisë do të ishte mjaft e ndërlikuar, por dhimbjet e kokës së BE-së përkeqësohen nga fakti se pas 13 ditësh, Musk do të bëhet pjesë e administratës së Shteteve të Bashkuara si kreu i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë.
“Musk duhet parë si përfaqësues i presidentit të SHBA-së kur ai vë baste kundër udhëheqjes së vendeve kyçe evropiane, aleatëve”, shkroi në një email ish-anëtarja e Parlamentit Evropian, Marietje Schaake, raporton Policito.
Duke e kërcënuar me hetime apo edhe me gjobë, BE-ja rrezikon tani një konfrontim të madh me administratën e Uashingtonit.
“Nëse Komisioni i BE-së do të vendosë të veprojë do të varet nga një kombinim i provave teknike dhe vullnetit politik,” tha Felix Kartte, një bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Mercator të Gjermanisë. “Pyetja në thelb, është nëse liderët e BE-së janë të përgatitur të zgjedhin konfrontimin me administratën Trump përpara se ajo të marrë zyrtarisht detyrën”.