Musliu: Dy grupe serbësh po stërviten në Rashkë për ta destabilizuar veriun

Musliu: Dy grupe serbësh po stërviten në Rashkë për ta destabilizuar veriun
Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, të mërkurën ka raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e këtij institucioni. Pas mbledhjes, kryetarja e komisionit, Ganimete Musliu, tha se AKI-ja ua ka përcjellë informatat se dy grupe serbësh po stërviten në Rashkë të Serbisë me synimin për të destabilizuar veriun e Kosovës në prag të zgjedhjeve lokale në këtë pjesë të vendit.

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka informacione se në Rashkë të Serbisë, shumë pranë kufirit të Kosovës, po zhvillojnë trajnime dy grupe serbësh për të destabilizuar veriun, ka thënë deputetja Gabimete Musliu.

Informatën Musliu tha se ua dha deputetëve drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, gjatë raportimit të mërkurën në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së.

Sipas saj, pjesëtarë të së ashtuquajturës Organizatë për Mbrojtje Civile po trajnohen në Rashkë për gjuajtje me armë, që synim kanë të destabilizojnë vendin në prag të zgjedhjeve lokale në katër komunat e veriut më 23 prill.

“Si shtet duhet të përgatitemi për çdo provokim të situatës që mos të na zërë në befasi. AKI-ja po e kryen punën me sukses dhe e ka përkrahjen e Komisionit për veprime konkrete. Unë flas zyrtarisht si institucion. Është e konfirmuar që dy grupe janë duke u stërvitur në Rashkë e që mund të merren me veriun e Kosovës, ka stërvitje gjuajte me armë, taktizim”, ka thënë Musliu.

Pjesë e këtyre organizimeve, sipas kryetares së Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, është edhe Lista Serbe, që nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e këtij muaji për kryetar të komunave në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan.

Musliu tha se Lista Serbe po ndikon në frikësimin dhe linçimin e serbëve në veri. Si pjesë të kësaj fushate ajo ka përmendur djegien e disa veturave të serbëve me targa RKS.

“E ashtuquajtura Organizatë e Mbrojtjes Civile në bashkëpunim edhe me Listën Serbe në vazhdim kanë zhvilluar aktivitet në veri të vendit. Pjesëtarët e kësaj organizate po trajnohen në Rashkë për veprime destabilizuese në Kosovë”, ka thënë Musliu.

Përveç në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, situata në pjesën tjetër të territorit të Kosovës është nën kontroll, ka thënë Musliu, duke u bazuar në informatat e AKI-së.

Related Articles