Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, ka akuzuar deputetin e Vetëvendosjes, Salih Zyba, për pengimin e mbledhjes ku do të raportonte drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.
Ajo tha se Zyba ushtroi “presion direkt” mbi Ajetin, duke e vështirësuar diskutimin mbi dy çështje të rëndësishme: përndjekjen e disa gazetarëve nga agjentët e AKI-së dhe ndikimin e Dejona Mihalit në institucionet vendimmarrëse, shkruan Gazeta Enigma.
Musliu shpjegoi se mbledhja u anulua, pavarësisht që ajo kishte siguruar mbështetje nga një e tretë e komisionit për të ftuar Ajetin.
“Kemi pasur tentime që të pengohet edhe bashkëbisedimi me drejtorin Ajeti,” tha Musliu, duke theksuar se Zyba e pengoi këtë bisedë.
Ajo theksoi se, në këtë fazë të mandatit, çdo iniciativë hetimore mund të interpretohet si fushatë zgjedhore, duke kërkuar respektimin e ligjit dhe Kushtetutës.
Musliu përfundoi duke theksuar rëndësinë e misionit të AKI-së në identifikimin e kërcënimeve të sigurisë dhe mbikëqyrjen e saj nga komisioni./GazetaEnigma/