Mustafa: Ose të themelohet Asociacioni, ose Kuvendi ta anulojë marrëveshjen

Mustafa: Ose të themelohet Asociacioni, ose Kuvendi ta anulojë marrëveshjen

Ish-kryeministri Isa Mustafa ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim i Kosovës, të cilit nuk mund t’i shmanget.



Sipas tij, s’ka alternativa tjera, meqë Asociacioni parashihet me një marrëveshje që e ka ratifikuar Kuvendi.

Mustafa e ka konsideruar të arritur përfshirjen e pikës që Gjykata Kushtetuese të jetë “arbitër” i marrëveshjes së vitit 2013.

“Pataten e nxehtë e ka lënë Kuvendi i Kosovës me marrëveshjen e parë dhe Gjykata Kushtetuese. Pika e parë e marrëveshjes së vitit 2013, për normalizim të marrëdhënieve thotë se do të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë ai fillimisht duke shtuar se në 6 pikat e marrëveshjes s’qe përpunuar se si do të dukej ky asociacion.

Sa i përket marrëveshjes së 2015-s, atë të parimeve të përgjithshme mbi Asociacionin, Mustafa ka thënë se është habitur se si ka arritur të përfshinte Kushtetuesen si arbitër.

“Marrëveshja ishte e gjatë, mjaft e gjatë me shumë pikë dhe e bazuar në marrëveshjen e parë kryesisht, e që ishte ratifikuar me ligj. Por atë që arrita ishte që ta shtyj Gjykatën Kushtetuese të Kosovës si arbitër të marrëveshjes, që s’mund të themelohet Asociacioni dhe të jetë i plotfuqishëm statuti për të, nëse Kushtetuesja thotë se s’është në harmoni me Kushtetutën. Ai do të konsiderohej i themeluar vetëm kur Kushtetuesja vlerëson se është në harmoni me Kushtetutën. Jam habitur se si kam arritur ta bind Vuçiqin që ta pranojë autoritetin e Gjykatës. Ishte pika e dytë e marrëveshjes”, ka thënë ai.

Sipas Mustafës, tash s’kërkohet që Asociacioni të bëhet në bazë të kritereve të vitit 2015.

“Kërkohet të bëhet në bazë të marrëveshjes së parë. Edhe gjykata Kushtetuese kërkon. Sepse po i dëgjoj liderët që thonë se Kushtetuesja ka deklaruar se është në kundërshtim me Kushtetutën. Kushtetuesja ka thënë se asociacioni duhet të themelohet konform marrëveshjes së parë, sepse themelimi është bërë pjesë e rendit juridik të Kosovës. Kështu shkruhet në aktgjykim, por jo në bazë të marrëveshjes së dytë”.

“E nëse duhet të bëhet në bazë të marrëveshjes së parë, siç thotë Gjykata Kushtetuese, vendit i mbeten dy zgjidhje: Ose duhet të mblidhet Kuvendi dhe ta abrogojë ose ta anulojë Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë me mbi 80 vota, me dy të tretën e votave, dhe mandej ne nuk kemi obligime juridike që ta bëjmë atë, ose duhet të punohet që të implementohet ligji për marrëveshjen e parë”, ka deklaruar Mustafa./Gazeta “Enigma”/

Related Articles