Mustafi: Shqipëria ka ulur vëmendjen ndaj Luginës së Preshevës

Mustafi: Shqipëria ka ulur vëmendjen ndaj Luginës së Preshevës

Ragmi Mustafi, këshilltar politik i zv.kryeministrit Besnik Bislimi, ka thënë shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë që prej procesit të dialogut të përmbushen edhe kërkesat e tyre.

Ai ka theksuar se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit kërkojnë që të mos diskriminohen më në Serbi dhe pozita e tyre atje të përmirësohet.

“Për shkak të rrethanave gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor dhe në dialog, shihet mundësia si të avancohet pozita e shqiptarëve të Luginës. Shqiptarët e Luginës nuk kanë hequr dorë nga aspirata e tyre politike që është nga vitet 90, por jemi hap pas hapi që të realizohen minimumi i kërkesave të shqiptarëve të Luginës. Kjo ka të bëjë me ndërprerjen e diskriminimit sistemor e strukturor të Serbisë, dhe përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë”, ka thënë ai.

Mustafi ka deklaruar se Qeveria e Shqipërisë duhet të kontribuoj në përpjekjet për të ndihmuar e mbështetur shqiptarët në Luginë. Sipas tij, ajo nuk po e bën këtë gjë.

Ai ka shtuar se Shqipëria e ka ulur interesimin për Luginën.

“Shqipëria do duhej të merrte model Qeverinë e Kosovës për angazhimin dhe përkushtimin në raport me Luginën e Preshevës. Kjo kërkon qasje strategjike për të ndihmuar për sfera të ndryshme shqiptarëve atje. Çfarë ka ndodhur në Qeverinë e Shqipërisë nuk e di, ka pasur një fazë të angazhimit sa ishin dy ministra kosovarë atje, por ka pasur ulje të vëmendjes së Shqipërisë sa i përket Luginës. Ka intensifikim dhe fokus të Kosovës për shqiptarët në Luginë”, ka përfunduar ai në KTV.

Related Articles