Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arbërie Nagavci ka thënë se janë të përkushtuar që të adresojnë secilën vështirësi me të cilën ballafaqohen mësimdhënësit në Kosovë.
Nagavci përmes rrjetit social në Facebook ka shkruar se i përgëzojnë shkollat dhe mësimdhënësit që kanë filluar mësimin.
Ajo po ashtu ka kërkuar nga të gjithë mësimdhënësit e Kosovës që të mirëkuptojnë situatën, tashmë kur ata dhe familjet e tyre do të përfitojnë nga Pakoja e ndihmave financiare.
“Jemi të përkushtuar që të adresojmë secilën vështirësi me të cilën ballafaqohen mësimdhënësit në Kosovë, krahas punës që po bëjmë në përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e politikave arsimore
E kemi fokusuar bashkëbisedimin me mësimdhënënësit te politikat e reja në mbështetje të tyre, në mënyrë që të tejkalojmë secilën vështirësi së bashku, sikur që është tejkaluar ajo e mësimdhënësve me probleme serioze shëndetësore dhe nuk ka më asnjë mësimdhënës që i duhet të dalë në punë sepse i nevojitet paga për të blerë ilaçe.Reklama
Edhe një herë përgëzoj shkollat dhe mësimdhënënsit që kanë filluar mësimin dhe kërkoj nga të gjithë mësimdhënësit e Kosovës që të mirëkuptojnë situatën, tashmë kur ata dhe familjet e tyre do të përfitojnë nga Pakoja e ndihmave financiare”, ka thënë Nagavci.
Sipas saj, në Projektligjin për paga i cili ka dalë në debat publik, janë marrë për bazë të gjitha kërkesat, duke u trajtuar me kujdes të veçantë të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit.
“I siguroj mësimdhënësit se do të adresohet vazhdueshëm çdo shqetësim i tyre dhe bashkërisht të evitojmë të gjitha vështirësitë për të arritur kështu që të kemi mirëqenie të mësimdhënësve dhe ngritje të cilësisë në arsim”, ka shkruar ndër të tjera në rrjetin social në Facebook, ministrja Nagavci.