Nagavci: Nga viti i ardhshëm nis rishikimi i teksteve mësimore

Nagavci: Nga viti i ardhshëm nis rishikimi i teksteve mësimore

Nga viti i ardhshëm do të nis rishikimi i teksteve shkollore. Kështu ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

 Ajo përmes një statusi në Facebook ka bërë të ditur gjithashtu se nga viti i ardhshëm shkollor, do të hyjnë në përdorim edhe Tekstet Alternative .

“Tekstet shkollore janë një element shumë i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë në arsim. Andaj, në Agjendën Legjislative e kemi paraparë Ligjin për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lektyrës shkollore dhe dokumentacionit pedagogjik. Ne synojmë që përmes ligjit të ri të kemi tekste më cilësore për nxënësit tanë. Viteve të kaluara me të drejtë ka pasur ankesa të shumta dhe është kritikuar cilësia e teksteve mësimore. Në to janë evidentuar pasaktësi shkencore, gabime përmbajtësore, gabime metodologjike e drejtshkrimore, andaj dhe nga viti i ardhshëm do të rishikojmë tekstet mësimore. Mësimdhënësit janë ata që do të punojnë me tekste shkollore dhe do duhej të përdornin ato si një nga burimet për mësimdhënie. Atyre me legjislacionin në fuqi, u njihet e drejta që të zgjedhin tekstet shkollore të cilat pastaj miratohen nga Këshilli i Shkollës” ka shkruar ajo.

Më tutje Nagavci ka bërë të ditur lajmin se ‘sivjet për herë të parë do të ofrojmë mundësinë që mësimdhënësit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore duke zgjedhur edhe tekste alternative. Presim që mësimdhënësit të jenë në nivel të detyrës, të analizojnë të gjitha tekstet dhe të vendosin se cilat janë më të përshtatshme dhe me cilësore për arritjen e rezultateve të synuara sipas kurrikulës. Ndonëse për çdo vit në shkolla janë ofruar tekstet pa pagesë, kemi pasur shumë raste kur prindërit dhe mësuesit kanë blerë vet tekste dhe kanë përdorë tjera prej atyre që i ka dërguar Ministria, andaj përmes tekstit alternativ, do ta eliminojmë edhe këtë problem” ka shkruar mes tjerash Nagavaci.

Related Articles