Ministrja e Arsimit, Arëbërie Nagavci, ka thënë sot në një konferencë për media së është duke u punuar për furnizim me tekste shkollore për nxënësit.
Ajo tha se së shpejti të mbahet një konferencë e veçantë për media, ku do të jepen detaje të tjera.
“Puna për furnizim është nisur, ku janë finalizuar listat e teksteve të miratuara dhe ato janë ndarë me drejtoritë e arsimit. Të njëjtat janë dorëzuar te MASHTI. Kemi pranuar tashmë edhe prej shtëpive botuese të dhënat e para në lidhje me negocimin e çmimeve dhe procesin deri te finalizimi i teksteve. Puna po vazhdon”, deklaroi Nagavci pas mbledhjes së Qeverisë.
Çështja e furnizimit me libra ka qenë një temë e nxehtë vitin e kaluar dhe kështu duket se do jetë edhe këtë vit.
Vitin e kaluar, MASHTI vonë njoftoi se nxënësit nuk do të furnizohen me libra, por se të njëjtat duhet që vetë prindërit ti blejnë, e më pas të kompensohen nga Qeveria. Kjo krijoi një tollovi.
Planet e Qeverisë janë që i njëjti proces të shkoj edhe sivjet. Kryetari i SHBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka paralajmëruar se do të ketë grevë nga 1 shtatori, nëse nxënësit nuk furnizohen drejtpërdrejtë me libra. /Gazeta Enigma