Napoli dhe Milani me të njëjtat pikë si në vitin 1988

Napoli dhe Milani me të njëjtat pikë si në vitin 1988

Napoli dhe Milani do të ballafaqohen të dielën mbrëma në një tjetër ndeshje që mund të vendosë fatin e kampionatit për skuadrat që po luftojnë për titull kampioni.

Napoli dhe Milani e zhvillojnë ndeshjen e fundit të xhiros së 28-të, të dielën në orën 20:45.

Napolitanët me Amir Rrahmanin në përbërje, synojnë titullin e parë që prej kohës së Diego Maradonas. Të gjitha biletat janë shitur në stadiumin që mban emrin e legjendës argjentinase.

Të dy skuadrat janë në pjesën e epërme të tabelës me nga 57 pikë. Këtë shifër të pikëve e patën edhe në vitin 1988, por në ndeshjen vendimtare, triumfoi Milani dhe më pas e fitoi titullin e kampionit.

Napoli mposhti Milanin në stadiumin “San Siro” në muajin dhjetor, dhe një barazim do t’i jepte avantazhin skuadrës së Stefano Piolit nëse në fund të kampanjës, dy skuadrat përfundojnë me pikë të njëjta.

Cilado prej skuadrave që e fiton derbin e së dielës, do ta siguronte pozitën më të mirë në fund për shkak të suksesit në ndeshjet e ndërsjella.

Napoli është skuadra në formë në Serie A. Napolitanët kanë fituar 18 pikë nga tetë ndeshje qëkur rinisi kampionati pas vitit të ri.

Milani e ka fituar vetëm një nga 14 ballafaqimet e fundit në Serie A me Napolin. Ajo fitore erdhi më 22 nëntor të vitit 2020.

Të dielën në orën 18:00, Juventusi e pret Spezian në shtëpi. Trajneri Massimiliano Allegri ka thënë se shanset për titull kampioni ende janë të hapura. Skuadra e drejtuar nga tekniku italian nuk ka disfatë në 12-të ndeshje të njëpasnjëshme. Një tjetër fitore do ta afronte edhe më shumë në kreun e tabelës.

Related Articles