NATO: Të formohet sa më parë qeveri stabile, do të punojmë me këdo që udhëheq me vendin

NATO: Të formohet sa më parë qeveri stabile, do të punojmë me këdo që udhëheq me vendin

NATO-ja pret që sa më parë në Kosovë të formohet një qeveri stabile pas zgjedhjeve të së dielës dhe shprehet e gatshme të punojë me këdo që do ta udhëheqë vendin në të ardhmen.

Këtë e ka thënë të mërkurën në selinë e aleancës në Bruksel, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke u përgjigjur në pyetjet për zgjedhjet e zhvilluara në Kosovë.

Shefi i NATO-a ka thënë se akoma nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve por se, në bazë të atyre preliminare, duket se Kosova do të ketë një qeveri të koalicionit. 

Rutte ka thënë se NATO ka përcjellë për së afërmi zgjedhjet si një proces demokratik në Kosovë.

“Kuptojmë se kemi rezultatet fillestare, por aq sa di unë, deri më sot, jo edhe rezultatet finale. Akoma pritet që Komisioni Zgjedhor të raportojë për rezultatet finale. Dhe bazuar në rezultatet deri tash duket se do të ketë një qeveri të koalicionit. Natyrisht ne do të sigurojmë që ne do të punojmë me këdo që të udhëheqë me vendin”, ka thënë Rutte duke shtuar se u dëshirojnë “të gjithë politikanëve gjitha të mirat në navigimin e një ambienti politik dhe që të sigurojnë që të ketë një qeveri stabile sa më parë që të jetë e mundur”.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka folur në këtë konferencë më së shumti për takimin e Ministrave të Mbrojtjes që të enjten zhvillohet në Bruksel. Tema kryesore e këtij takimi ministror do të jenë rritjet e kapaciteteve ushtarake të Aleancës dhe ndihma Ukrainës.

Related Articles