Ndahet nga jeta Edi Luarasi, në moshën 81 vjeçare, ikona e teatrit dhe e filmit shqiptar, shkruan Gazeta Enigma.
Edi Luarasi lindi në Tiranë më 7 maj 1940.
Ka debutuar në skenë në moshë të re, shkruajnë mediet shqiptare.
Fillimisht në 1956, kur ishte 16 vjeçe, së bashku me të motrën këndonin në skenën e Teatrit të Estradës. U diplomua për aktore në 1963 dhe emërohet aktore në Teatrin Popullor.
Roli i parë i saj ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard” më 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin.Më pas, në dhjetë vjet, vijnë një sërë rolesh të arrirë, si Lena tek “Doktor Aleksi”, Kordelja tek “Mbreti Lir”, Cuca tek “Cuca e maleve”, Kristina tek “Fytyra e dytë”, etj.
Përjashtohet nga Teatri Kombëtar në 22 janar 1974 për arsye politike e më pas u rikthye në skenë në mars 1991, me interpretimin dinjitoz në rolin e damës plakë në dramën “Vizita e Damës plakë”.
Interpretoi edhe në 1995 në dramën “Hekurat”, më vonë, me sukses në dramat “Cilindri”, “Streha e të harruarve”, etj. Ajo është nderuar me titullin “Artiste e Merituar”.