Sot do t’i jepet lamtumira e fundit Blenis Burim Gashit nga fshati Fortesë, i cili humbi jetën mbrëmjen e së dielës në rrethana tragjike.
Varrimi do të bëhet në orën 17:00, në varrezat e reja të fshatit Fortesë, ndërsa e pamja mbahet në Restaurant Saranda.
Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë se i mituri ishte gjetur i shtrirë me plagë që dyshohet se ishin shkaktuar nga arma e zjarrit, në fshatin Bellacerkë të Rahovecit.
Në njoftimin mortor të familjes thuhet se Blenisi ka humbur jetën aksidentalisht dhe në moshë shumë të re.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, konfirmoi për Sinjalin se Policia ishte njoftuar rreth orës 20:35 për një të mitur të gjetur të shtrirë dhe me plagë të dyshuara nga arma e zjarrit.
Njësitë policore dolën në vendin e ngjarjes, ndërsa i mituri u dërgua për trajtim mjekësor. Megjithatë, mjekët konstatuan vdekjen e tij.
Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se lidhet me rastin.
Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave.
