Ndalohet për 48 orë zyrtari policor, dyshohet se e shkaktoi aksidentin në Çubrel

Ndalohet për 48 orë zyrtari policor, dyshohet se e shkaktoi aksidentin në Çubrel

Tre persona humbën jetën të dielen mbrëma si pasojë e një aksidenti në fshatin Çubrel të Skenderajt.

Nga ky aksident u lënduan edhe pesë të tjerë, në mesin e tyre katër policë.

Lidhur me rastin një zyrtar policor është arrestuar dhe është ndaluar për 48 orë.

Ky i fundit dyshohet se ishte duke drejtuar automjetin zyrtar me të cilin kishte shkaktuar aksidentin.

Kështu është shprehur zëdhënësi Prokurorisë Themelore të Mitrovicës Valon Preteni.

“Në aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, një veturë zyrtare e policisë dhe një veturë civile. Si pasojë e aksidentit, tre persona që kanë qenë në veturë civile kanë ndërruar jetë, dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupat e tyre janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Për këtë rast, është ndaluar një person me vendim të prokurorit për 48 orë, për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik – me fatalitet”, tha ai.

Ai tregoi gjithashtu se rasti është duke u hetuar në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës.

Më herët IPK-ja përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ka rekomanduar suspendimin e policit i cili dyshohet se me veturë zyrtare ishte aksidentuar me veturën civile, me ç’rast vdiqën tre persona. /Gazeta Enigma

Related Articles