Ndeshja me Ferizajn, Curri: E rëndësishme për vazhdimësinë – mbështetja e tifozëve jetike

Ndeshja me Ferizajn, Curri: E rëndësishme për vazhdimësinë – mbështetja e tifozëve jetike

Kryetrajneri i SC Gjilanit, Debatik Curri është shfaqur në konferencë për media në prag të sfidës kampionale ndaj Ferizajt, derisa ka vënë në fokus vazhdimësinë e rezulteteve, e cila është determinuese për objektivin e klubit.

Shefi i shtabit teknik ka potencuar që dueli ndaj Ferizajt nuk do të jetë aspak i lehtë, por një provë e vërtetë për të besuarit e tij, ndaj dhe ka kërkuar edhe mbështetjen masive të tifozëve për duelin e së dielës.

“Ky ekip është i ndërtuar për të konkuruar për pjesën e epërme të klasifikimit dhe besoj që çdo futbollist e ka kuptuar që në çdo ndeshje futemi për ta fituar atë. Ferizaj është një skuadër e vështirë për ta mposhtur me individë që mund ta bëjnë diferencën dhe këtë e kanë dëshmuar edhe në ndeshjen e kaluar. Besoj që detajet dhe momentet se kush arrinë ti shfrytëzojë do ta fitojë edhe ndeshjen”, ka thënë ai.

Ai tha se kanë pasur kohën e mjaftueshme për ta përgatitur këtë ndeshje.

“Normalisht na pret një ndeshje shumë e rëndësishme, duke ditur faktin që ky edicion në Superligë ka dëshmuar që është vështirë të luash përballë çdo kundërshtari. Kemi patur kohën e mjaftueshme për ta përgatitur ndeshjen dhe besoj që do të japim maksimumin nga i pari deri te i fundit. Shpresojmë të kemi vazhdimësi pas ndeshjes në Malishevë dhe të ngritemi aty ku na takon edhe si klub”.

Curri tregoi se gjithë futbollistët e Gjilanit janë të gatshëm për ndeshjen ndaj Ferizajt, përveç Rrahmanit, i cili po rikuperohet nga lëndimi.

“Gjithë futbollistët janë të gatshëm për ndeshjen e nesërme, përveç Robert Rrahmanit, i cili tash e një kohë është në proces të rikuperimit nga dëmtimi. Më gëzon fakti që Oltion Bilalli ka filluar të marrë veten dhe shpresoj që do të na ndihmojë shumë, pasi që është futbollist që gjithmonë më ka pëlqyer edhe në kohën kur nuk kam qenë trajner i Gjilanit. Gjithë ata futbollist të cilët do ta kenë mundësinë në këtë përballje për të luajtur do ta japim maksimumin për ta fituar ndeshjen”, shtoi ai.

Ai shtoi se ndeshja ndaj Dukagjinit ka qenë mësim për ta dhe se janë duke punuar që këto ndeshje të mos përsëriten.

“Ne nuk duhet të vetëkënaqemi, pavarësisht rezultateve të cilat i marrim ndaj kundërshtarëve të caktuar. Ne duhet të luajmë me përkushtim maksimalisht dhe rrespekt për çdo kundërshtar, sikurse të jetë ndeshja e fundit. Ndeshja ndaj Dukagjinit është një mësim për neve, pavarësisht që kemi dominuar gjithë ndeshjen. Ne jemi të vetëdishëm për këtë gjë dhe kemi punuar që këto ndeshje të mos përsëriten”.

Tutje, ai uroi Skifterat për 26 vjetorin e themelimit dhe tha se ua ka pasur lakmi si tifozë edhe kur nuk ka qenë pjesë e klubit.

“Së pari u uroj 26 vjetorin “Skifterave” si tifo grup. Edhe kur nuk kam qenë në klub ua kam patur lakmi që gjithmonë kanë qenë të organizuar dhe në mbështetje të klubit. Normalisht për çdo skuadër, ashtu edhe për ne është më e lehtë të arrihet te suksesi për shumë arsye. Besojmë që me përkrahjen e tifozëve dhe numrin sa më të madh të tyre ne të arrijmë te suksesi”.

Related Articles