Elita e futbollit kosovar vazhdon këtë të diel (sot) me ndeshjet e xhiros së 35-të që janë në program për tu zhvilluar.
Edhe këtë javë të gjitha ndeshjet e kësaj xhiro do të zhvillohen me orar të njëjtë.
E vëmendja kryesore do të jetë në Gjilan, ku kampionati elitar mund ta mësojë edhe emrin e kampionit të ri të Kosovës.
Gjilani do të jetë nikoqir i Prishtinës, me skuadrën kryeqytetase që kërkon minimumin vetëm një pikë për tu shpallur edhe zyrtarisht kampion i Kosovës.
Nëse një gjë e tillë ndodhë, do të ishte rikthim i titullit në kryeqytet pas tetë viteve mungesë.
Ndjekësi më i afërt i prishtinasve, Drita do ta ketë një udhëtim të vështirë në Skenderaj ku përballet me Drenicën.
Kampioni në fuqi i Kosovës nëse nuk e arrin dot titullin synon që ta ruaj së paku vendin e dytë nga ku i rrezikohet nga Ballkani.
E skuadra nga Suhareka në shtëpi pret Trepçën ’89 e cila synon të shkaktojë befasi pasi pikët i duhen për t’iu shmangur rënies nga elita e futbollit kosovar.
Arbëria do t’i bëjë ‘konak’ Llapit në stadiumit ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, ku kjo sfidë pritet të jetë e zjarrtë pasi asnjëra skuadër nuk e kanë siguruar mbijetesën dhe kërkojnë ta bëjnë një gjë të tillë.
Interesant pritet të jetë edhe ndeshja në Drenas, ku Feronikeli pret tanimë skuadrën e parë të larguar nga elita Besën e Pejës.
‘Industrialistët’ kërkojnë tri pikët, derisa pejanët udhëtojnë për të shkaktuar befasinë e radhës.
Superliga – Java e 35-të
E diele – 15:00
Gjilani – Prishtina
Drenica – Drita
Llapi – Arbëria
Ballkani – Trepça ’89
Feronikeli – Besa