Albi Mall Superliga e Kosovës është futur në fazën finale, por vëmendja e adhuruesve të futbollit kosovar është edhe në Kupën e Kosovës.
Katër skuadra kanë mbetur në garë dhe kërkojnë trofeun e çmuar që vlen edhe për daljen në Evropë.
Tanimë janë caktuar çiftet gjysmëfinaliste dhe ato luhen me sistem vajtje-ardhje, ku ndeshjet e para zhvillohen të mërkurën.
Padyshim që vëmendja e adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në duelin mes Prishtinës dhe Dritës, ku dy rivalët e vjetër do të përballen në ndeshjen e parë.
Dueli i parë mes dy ekipeve bardhekaltër do të zhvillohet në stadiumin ‘Sami Kelmendi’ në Lipjan me fillim nga ora 15:00.
E në gjysmëfinalen tjetër do të takohen dy skuadrat nga Suhareka, FC Suhareka dhe Ballkani.
Suhareka është skuadra e vetme nga Liga e Parë në gjysmëfinale dhe kërkon që të shkaktojë befasi përballë Ballkani që është favorit i madh në letër.
Të dy duelet e para gjysmëfinale në Kupën e Kosovës do të zhvillohen të mërkurën me fillim nga ora 15:00.