Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një njoftimi për media thotë se kanë fituar komunën e Dragashit pas numërimit të votave nga diaspora.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka falënderuar qytetarët për kontributin.
“Konfirmohet fitorja e madhe e LDK-së në Dragash. Bexhet Xheladini, tashmë edhe zyrtarisht është kryetar i ri komunës së Dragashit. Faleminderit diasporë për kontributin dhe mbështetjen masive që i keni dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thotë LDK përmes një komunikate për media.
Pas numërimit të votave të diasporës, kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini ka marrë 244 vota, derisa ai i PDK-së Shaban Shabani 54 vota.
Më këto vota të diasporës, përmbyset rezultati preliminar i shpallur nga KQZ.
Në rezultatet preliminare Shaban Shabani nga PDK kishte marrë 5,648 vota apo 50,21% derisa Bexhet Xheladini nga LDK 5,601 vota apo 49,79%.
Me votat e diasporës Bexhet Xheladini ka 5,845 derisa Shaban Shabani ka 5,702 vota.
Mbesin për t’u numëruar edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta./