Në ethet e finales – historiku i klubeve në Ligën e Kampionëve

Në ethet e finales – historiku i klubeve në Ligën e Kampionëve

Manchester City dhe Chelsea do të përballen mbrëmjen e të shtunës së 29 majit në fianlen e Ligës së Kampionëve për edicionin 2020/21. Ndeshja do të luhet në “Estadio do Dragao” të Portos në Portugali, duke filluar nga ora 21:00.

Kjo do të jetë ndeshja e parë që vë përballë dy ekipet në Ligën e Kampionëve, pasi asnjë herë më parë, Manchester City dhe Chelsea nuk janë përballur në këtë kompeticion.

Për Manchester City-n kjo do të jetë finalja e parë në Ligën e Kampionëve në historinë 141-vjeçare të klubit. Ndërsa, për Chelsea-n do të jetë finalja e tretë. Blutë e kanë fituar trofeun në vitin 2012 përballë Bayern Munich-ut dhe e kanë humbur në 2008 përballë Manchester United-it.

Trajneri i City-t, Pep Guardiola e ka fituar dy herë më parë trofeun me Barcelona-n, në sezonin 2008/09 dhe 2010/11.

Ndeshja e të shtunës do të jetë finalja e tretë angleze në këtë kompeticion. Më herët janë përballur, Liverpool-i me Tottenham-in në 2018/19, e përfunduar me shifrat 2-0 dhe në sezonin 2007/2008 u përballë Manchester United me Chelsea-n, përfunduar me rezultatin 1-1 në 120 minuta lojë dhe 6-5 pas gjuajtjeve të penalltive.

Trajneri i Chelsea-t, Thomas Tuchel, e ka vitin e dytë radhazi që shkon në finalen e Ligës së Kampionëve. Vitin e kaluar drejtonte PSG-në dhe përballej me Bayern Munich-un (0-1).

Rrugëtimi drejt finales

Manchester City ishte pjesë e Grupit C, së bashku me Porto-n, Olympiacos-in dhe Marseille-n. Qytetarët dolën të parët në grup me 16 pikë. Pesë fitore dhe një barazim për skuadrën e Guardiola-s.

Më pas në fazën e 1/8 City u përballë me Borussia Monchengladbach-un, ku fitoi me rezultatin e përgjithshem 4-0, në çerekfinale u përballë me Borussia Dortmund-in, ku fitoi me rezultatin 4-2 dhe në gjysmëfinale eleminoi PSG-në, me rezultatin 4-1, shkruan AP.

Chelsea ishte pjesë e Grupit E, së bashku me Sevilla-n, Krasnodar-in dhe Rennes-in. Blutë e Londrës dolën të parët në grup me 14 pikë. Katër fitore dhe dy barazime morën djemtë e Tuchel-it.

Blutë në fazën e 1/8 eleminuan Atletico Madrid-in me rezultatin e përgjithshëm 3-0, në çerekfinale eleminuan Porto-n me rezultatin 2-1 dhe në gjysmëfinale Real Madrid-in me rezultatin 3-1. /Gazeta Enigma/

Related Articles