Vendi anëtar i Bashkimit Evropian, Austria, ka njoftuar se planifikon që deri në muajin gusht t’i shpërndajë 651 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë Pfizer për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, si pjesë e një skeme të Bashkimit Evropian.
Tutje, Austria tha se do të shërbente si koordinatori i këtij mekanizmi për Ballkanin Perëndimor dhe se kjo shpërndarje e parë e dozave mund të ndiqet nga të tjerët.
“Me këtë iniciativë, ne po tregojmë se nuk po e lëmë rajonin pas”, tha ministri austriak i Punëve të Jashtme, Alexander Schallenberg.
Austria ka negociuar marrëveshjen më kompaninë Pfizer për sigurimin e këtyre dozave, megjithatë këto vaksina do të paguhen nga fondet e BE-së.
“Nuk ka absolutisht asnjë lidhje këtu me sigurimin e vaksinave në Austri dhe në vendet e tjera anëtare të BE-së. Këto doza nuk janë nga një kuotë kombëtare dhe janë vaksinat që ka siguruar BE”, njofton Schallenberg.
Ato do të shpërndahen nga fillimi i muajit maj, sipas nevojës së vendeve për këto doza.
Bosnja e Hercegovina do të marrë pjesën më të madhe të vaksinave me 214 mijë doza, e ndjekur nga Shqipëria me 145 mijë doza, Maqedonia e Veriut me 119 mijë doza dhe Serbia është e fundit me 36 mijë doza.