Në mungesë të stadiumit të dytë, UEFA ua ndërron vendin dhe datat e ndeshjeve ekipeve kosovare

Në mungesë të stadiumit të dytë, UEFA ua ndërron vendin dhe datat e ndeshjeve ekipeve kosovare

Drita, Llapi dhe Gjilani kishin një të përbashkët të martën në tërheqje të shortit për rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Tri skuadrave kosovare u ra t’i luanin ndeshjet e kthimit në të njëjtën ditë, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në mungesë të stadiumit të dytë të licencuar nga UEFA në Kosovë, Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ndërhyri duke ndryshuar vendin dhe datat e ndeshjeve. UEFA, ndër të tjera, vendosi që Gjilani të jetë vendas në ndeshjen e parë e jo në atë të kthimit.

Kosova aktualisht e ka vetëm stadiumin “Fadil Vokrri” të pranuar për ndeshje ndërkombëtare, përkatësisht të Kupave Evropiane. Sipas shortit, Drita, Llapi dhe Gjilani, ndeshjet e para është dashur t’i luajnë në udhëtim më 7 korrik. Kurse ato të kthimit në shtëpi më 14 korrik. Kjo nuk ka mundësi të realizohet, prandaj UEFA ka intervenuar.

Për më tepër në “Fadil Vokrri” luan edhe Ballkani, që paraqitet në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Sipas shortit, Ballkani më 5 apo 6 korrik është vendas me Zhalgirisin lituan. Kurse më 12 apo 13 korrik luan në udhëtim.

UEFA ka vendosur që Ballkani më 5 korrik të luajë në “Fadil Vokrri”, nga ora 20:00. Dy ditë më vonë, më 7 korrik, Gjilani po në “Fadil Vokrri” e pret ekipin nga Letonia, Liepaja.

Drita ndeshjen e parë do ta luajë më 6 korrik në udhëtim kundër Inter Turkut të Finlandës, ndërsa atë të kthimit më 12 korrik.

Llapi ndërkohë luan më 7 korrik në udhëtim dhe me 14 korrik në shtëpi.

Te Llapi kanë ende shpresë se ndeshjen si vendas do ta luajnë në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Por, koha është e shkurtër dhe me shumë mundësi edhe Llapi do të luajë në “Fadil Vokrri”.

Te Gjilani thonë se ndryshim i bërë nga UEFA i favorizon ata.

“Ndeshjen e parë do ta luajmë më 7 korrik në Prishtinë, ndërsa të dytën më 14 korrik në Letoni. E rëndësishme është që tashmë e dimë orarin e dy ndeshjeve të para në garat ndërkombëtare. Ndoshta është përparësi që ndeshjen e parë do ta zhvillojmë në shtëpi, pasi kemi edhe ndihmën e shikuesve dhe mund të krijojmë avantazhin për ndeshjen e dytë. Gjithsesi ne do të jemi të mobilizuar dhe gati për dy ndeshjet”, ka thënë menaxheri i klubit, Drilon Sylejmani, për KOHËN të enjten.

Në rast të kalimit tutje, Gjilani në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës do të përballet me Young Boysin e Zvicrës.

Llapi në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës takohet me Buduqnostin e Podgoricës.

Drita dhe Llapi janë duke u përgatitur në Kosovë, ndërsa Ballkani është vendosur në Ohër. Në Ohër nga java e ardhshme do të përgatitet edhe Drita.

“Një ditë pas shortit na janë konfirmuar datat e sakta, sepse edhe UEFA e ka ditur që ne nuk mund t’i luajmë në të njëjtën ditë ndeshjet. Nuk jemi shteti i vetëm që e kemi këtë situatë. Janë edhe disa vende të tjera që kanë vetëm një stadium në shfrytëzim dhe edhe atyre klubeve u është caktuar termini i përshtatshëm. Ne si klub jemi gati për të dy ndeshjet. Do të udhëtojmë për përgatitje në Ohër, të dielën ose të hënën”, ka thënë drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi.

Related Articles