Në Prishtinë e Prizren po vazhdon verifikimi dhe numërimi i fletëvotimeve, procesi përmbyllet në 36 komuna të tjera

Në Prishtinë e Prizren po vazhdon verifikimi dhe numërimi i fletëvotimeve, procesi përmbyllet në 36 komuna të tjera

Procesi i verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve nga zgjedhjet lokale po shkon drejt përfundimit, ndërsa vetëm në Prishtinë dhe Prizren është duke vazhduar ende.

Kështu ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas KQZ-së, aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), që filluan një ditë pas zgjedhjeve, janë përmbyllur në 36 komuna.

Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon dita e dytë e numërimit të votave nga votimi jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri në orën 16:00 të shtunën, janë verifikuar rezultatet për 2,499 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë komunash dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga gjithsej 2,500 vendvotime. Nga 5,142 kuti votimi që i përkasin për kryetar dhe asamble komunale, janë procesuar 4,999 kuti.

Ai shtoi se gjatë ditës së parë të numërimit të votave jashtë Kosovës janë përpunuar 32 kuti për zgjedhjet për kryetarë komunash dhe 23 kuti për Kuvendet Komunale.

Në orën 14:00 të së shtunës ka filluar publikimi i rezultateve të votave nga diaspora në faqen e KQZ-së.

Related Articles