Një numër simbolik i qytetarëve kanë dalë për të protestuar në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të kërkuar liberalizim të vizave për qytetarët kosovarë, nga ana e Bashkimit Evropian.
Protestuesit dolën për të protestuar me biçikleta, duke mbajtur në dorë Flamurin e Kosovës, i rrethuar me tela gjemborë, duke paraqitur Kosovën e izoluar.
E pranishme në protestë ishte edhe deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj.
Kosovarët patën shpresa se dje, gjatë mbledhjes së Parlamentit Evropian, në diskutim do futej edhe liberalizimi i vizave për Kosovën, por kjo nuk ndodhi.
Edhe pse Parlamenti Evropian edhe sot po vazhdon samitin, në horizont nuk shihet diskutimi për heqjen e vizave.
Dëshpërimin e qytetarëve ndaj BE-së e ka shtuar edhe më shumë fakti se Parlamenti Evropian miratoi kërkesat e Ukrainës dhe Moldavisë, për statusin e vendit kandidat për anëtarësim, në një proces shumë të shpejtë, ndërkohë që zgjerimi i BE-së drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor po vlerësohet të jetë i ngadalësuar.