Ka filluar të mërkuren operimi i fazës së parë, për 50 mijë banorë të Prizrenit, impianti për trajtimin e ujërave të ndotura urbane, i pari i këtij lloji në Kosovë, mbështetur nga shteti gjerman, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Prizrenit.
Në inaugurimin e këtij projekti, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e këtij impianti, veçanërisht për shkak të sfidave në rritje e sipër, që lidhen me mungesën e ujit në Kosovë.
“Ripërdorimi i ujërave të ndotura pasi të jenë trajtuar është thelbësor për ta reduktuar ndotjen, për ta rritur cilësinë, për ta përmirësuar efikasitetin e shfrytëzimit të ujit dhe për t`i zvogëluar humbjet”, tha ai.
Kurti po ashtu bëri të ditur se në linjë me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe me fondet që Kosova do të përfitojë nga Bashkimi Evropian, do të investojnë në trajtimin e ujërave të zeza për ripërdorim në bujqësi, si dhe në grumbullin e trajtimin e ujërave të zeza urbane. U zotua që në bashkërendim me ministritë e linjave për resurse ujore dhe shërbime ujore, do të investohet në krijimin e një brezi të ri të profesionistëve në këtë sektor vital për vendin tonë.
Deri këtë mërkure, në Kosovë janë trajtuar më pak se 1% e ujërave të ndotura të kanalizimit. Sipas një raporti të KDI-së, nga 326 projekte të planifikuara nga institucionet publike për ndërtimin e kanalizimeve, të cilat derdhen në lumenjtë e Kosovës, gjatë periudhës 2017-2019 kishin kontraktuar vetëm 8 prej tyre.
Me zhvillimet dinamike të kohëve të fundit, deri në fund të këtij viti pritet të lëshohen në funksion edhe impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura në Pejë e Gjakovë, me çka shkalla e trajtimit do të arrinte rreth 9% të popullsisë. Kurse deri në fund të vitit 2025, kjo shifër pritet të arrijë rreth 50% të popullsisë, kryesisht në qendrat e mëdha urbane, duke shtuar Prishtinën me Obiliq dhe Fushë Kosovë, Gjilanin, Ferizajn dhe Mitrovicën.
Ky projekt ka kosto investimi të deritanishëm prej 19.5 milionë euro, ndërsa kosto totale pritet të arrijë vlerën rreth 22 milion euro./Gazeta “Enigma”/