Nëna në Ferizaj i keqtrajton fëmijët tërë natën, Policia shkon dhe i shpëton

Abuzimi dhe keqtrajtimi i fëmijëve nga prindërit e tyre është një dukuri mjaft shqetësuese. Të miturit janë ata që përjetojnë më së shpeshti dhunë fizike e psikike nga nënat e baballarët, të cilët çojnë dorë mbi ta, duke i rritur me frikë e shqetësim. Raste të tilla janë mjaft të shpeshta në vendin tonë.

Një ngjarje e tillë dhe mjaft e frikshme ka ndodhur edhe mëngjesin e sotëm në një familje në Ferizaj, ku një grua ia bëri gropën vetës, duke kërkuar ndihmë nga Policia gjoja se për problemet me fëmijët e saj 10 e 13-vjeçar.

Por doli të jetë ndryshe, pasi ishte pikërisht ajo që dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj tyre gjatë tërë natës. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për V.Krivaqa, e cila dyshohet se i ka maltretuar fëmijët e saj, duke i sulmuar fizikisht.

Pasi Policia intervenoi në banesën e tyre, arriti t’i shpëtojë fëmijët, të cilët i gjetën me shenja dhune nëpër trup, çka ngriti dyshimet se nëna e tyre i kishte keqtrajtuar.

E dyshuara është shoqëruar në stacion policor, ku e ka mohuar se ka ushtruar dhunë ndaj djemve të saj, por ishin ata që kanë rrëfyer se si janë abuzuar fizikisht nga nëna e tyre.  

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor ndaj të dyshuarës, kurse fëmijët janë dërguar në strehimore, aty ku janë më të sigurt.

Related Articles