Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Shqipe Mjekiqi ka dhënë dorëheqje. Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se Mjekiqi e ka ofruar tashmë dorëheqjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, raporton Gazeta Enigma.
Ndryshe Mjekiqi ishte zgjedhur nënkryetare e LDK-së dy vite me parë, me 20 mars të vitit 2021.
Pas marrjes së postit si nënkryetare e LDK-së Mjekiqi ka thënë se këtë pozitë në parti nuk e ka marrë në kohën më të mirë. Ajo ka përmendur rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhje, teksa ka shtuar se është koha që partia të kthehet në piedestal.
“Koha në të cilën unë po i bashkohem LDK-së nuk është më e mira për të. Në zgjedhjet e fundit LDK morri përqindjen me të ulët të votave që nga themelimi i saj para 30 vjetësh. E kuptoj që shumë prej jush ndjeheni të zemëruar me këtë rezultat. Por, është koha më e mirë për mua dhe shumë të tjerë të kontribuojmë në rikthimin e LDK-së në piedestal, aty ku e ka vendin. Spektri politik në Kosovë është i mangët pa Lidhjen Demokratike të Kosovës, për zhvillimin e së cilës punuan me shumë mund e sakrificë gjenerata të shumta nën udhëheqjen e Presidentit Ibrahim Rugova. Nëpërmjet përfaqësimit në LDK, nën udhëheqjen e Lumirit, unë do të mundohem t’i shërbej popullit dhe shtetit të Kosovës”, ka pohuar Mjekiqi.