Federata e Futbollit të Kosovës njoftoi të mërkuren se kandidimi i Gramoz Vokrrit për të parin e FFK është refuzuar, pasi nënshkrimet e Prishtinës, Ulpianës dhe Kikës ishin jo-valide.
“Komisoni ka konstatuar se janë deponuar katër nënshkrime nga FC Prishtina në mbështetje të Gramoz Vokrrit për t’u kandiduar për Kryetar të FFK’së. Dhe ka gjetur se në shkresa të lëndës së deponuara me datë 16.03.2022 nga Gramoz Vokrri së bashku me kërkesën e tij janë edhe dy fletënënshkrime, ku në fletënënshkrimin që mbanë datën 5 mars 2022 shihet se Rrahman Haradini dhe Artan Osmani e kanë mëbshtetur Gramoz Vokrrin, kurse në fletënënshkrimin që mban datën 15 mars 2022 shihet se Fikret Maçastena dhe Rrahman Haradini e kanë mbështetur Gramoz Vokrrin. Meqë Komisoni ka konstatur se prej një anëtari të FFK’së janë deleguar gjithsej 4 nënshkrime në mbështetje të një kandidati për kryetar të FFK’së, si dhe një person i njëjtë Rrahman Haradini ka deponuar dy nënshkrime për kandidatin Gramoz Vokrri” – njoftoi FFK.
Kështu, LRFP konstatoi se delegatë të ligjshëm dhe të regjistruar në Kuvendin e FFK-së nga radhët e FC Prishtinës janë Fikret Maçastena dhe Bajram Sheifi ndërsa Artan Osmani dhe Rrahman Haradini nuk janë delegatë të ligjshëm dhe se njoftimi për ndërrimin e delegatëve nuk është për në përputhje me aktet e brendshme dhe statutin.
Delegatët e klubeve përkatëse zgjedhen nga kuvendi i klubit, ndërsa tek Prishtina ky kuvend nuk është mbajtur tash e një kohë.
Shumë herë ka pasur polemika mes dyshes Haradini dhe Ejupi se cili është aksionar më i madh tek FC Prishtina, të cilët e dëmtuan kandidatin për kryetar të FFK-së, Gramoz Vokrrin.
Ejupi ka thënë se klubin në dy vitet e fundit financiarisht e ka udhehequr Haradini dhe se është larguar nga drejtimi i klubit.
Mirëpo për t’u larguar nga pozita e presidentit, duhet të mbahet kuvendi i klubit, i cili përbëhet nga aksionarët e klubit. Dhe për t’u votuar largimi i Ejupit, duhet pëlqimi i gjithë bordit.
Pra, praktikisht Remzi Ejupi është ende president i klubit të Prishtines.
Ndonëse Ejupi dhe Haradini kanë mbështetur kandidaturën e Gramoz Vokrrit, mos-akordimi i tyre ka bërë që nënshkrimet e delegatëve të klubit të shpallen të pavlefshme.