Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshja e grantit prej 2.5 milionë euro për KRU “Hidromorava”, raporton Gazeta Enigma.
Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë nga ministri Hekuran Murati, Shefi i Zyres të BERZh në Kosovë, Sergiy Maslichenko dhe Sekretari Gjeneral i Hidromoravës, Agim Smillaku.
Granti përfshin 1 milionë euro për zgjerimin e rrjetit të ujërave të zeza, ndërsa 1.5 milionë euro për ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza, thuhet në njoftimin nga Ministria.
“Projekti për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan kap vlerën totale prej afro 23.5 milionë euro, për të cilat tashmë është siguruar financimi. Implementimi i projektit është në fazën përgatitore dhe deri në fund të vitit pritet të fillojnë punimet në terren”, thuhet në komunikatën për media të ministrisë.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është tejet me rëndësi për regjionin e Anamoravës, pasi që përforcon kapacitetet e KRU “Hidromorava” dhe përmirëson kushtet e ambientit përmes trajtimit të ujërave të zeza për rreth 76 mijë qytetarë, thekson Ministria në njoftimin e saj. /Gazeta Enigma