“Tani nuk shoh se ka dialog”.
As sot e nëntë vite më parë nga marrëveshja e parë mes Kosovës dhe Serbisë, ish- kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nuk sheh ndonjë përmirësim në bisedime.
Mustafa theksoi se nuk sheh as pengesa në dialog, përveç frikës, taktizimeve dhe refuzimeve.
“Dialogu nuk të bënë hero. Sepse, po u ule në tavolinë nuk mund të fitosh vetëm ti”, tha ai.
Madje, ai nuk sheh përkushtim as nga ana e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu siç ishte më parë.
“Tani nuk shoh edhe një përkushtim të BE-së dhe SHBA-së, ashtu siç ishte më parë. Kjo më brengosë, sepse situata në veri po kthehet mbrapa, po ashpërsohet. Policia nuk mund ta zëvendësojë politikën”, theksoi Mustafa për Gazetën Enigma.
Sipas tij takimi i kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishin për konsum publik në stilin “unë ia thash të tërat”.
Marrëveshjet më të rëndësishme
Mustafa thotë se janë mbi 30 marrëveshje të cilat janë arritur, por që sipas tij thelbësorja ishte marrëveshja e parë, e cila ishte nënshkruar nëntë vite më parë.
Sipas ish kryeministrit, me rëndësi ka qenë edhe marrëveshja për drejtësinë, për pikat kufitare, për zhbërjen e stukturave paralele.
“Këto marrëveshje kanë mundësuar që të ushtrohet pushteti në veri të Kosovës të funksionalizohen pikat doganore, të vendoset administrata shtetërore, policia, të organizohen zgjedhjet dhe gjithashtu të përfshihen serbet në institucione të Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.
“Dialog jo i lehtë, por jo edhe i pamenagjueshëm”
Në kohën kur ish-kryeministri Mustafa kishte marrë pjesë në këso llojë takimesh për diskutime, dialogu nuk ishte i lehtë.
“Dialogu, në të cilin unë kam marrë pjesë, në vitin 2015, 2016 dhe 2017 nuk ka qenë i lehtë por jo edhe i pamenagjueshëm”, tha ai duke theksuar se në dialog palët synojnë të arrijnë interesat e tyre, prandaj sipas tij ka shumë mospajtime të cilat duhet menagjuar.
“Ka ndodhur të dialogojmë edhe 17 orë, të ngritemi dhe të mos pajtohemi. Pastaj kanë punuar ekipet e ekspertëve, të cilat i kanë lehtësuar çështjet deri në takimet tjera. I gjithë dialogu është zhvilluar me konsultime të vazhdueshme të zyrtarëve nga DASH dhe Ambasada Amerikane, para dhe pas takimeve në Bruksel”, ka shtuar Mustafa për Gazetën Enigma.
Ndryshe, edhe delegacioni serb kishte bërë të ditur se bisedimet në Bruksel ishin të vështira. Në veçanti mosmarrëveshje dhe mospajtime ka pasur rreth formimit të Asociacionit.
“Marrëveshjet e nënshkruara janë të mira për popullin serb në Kosovë. Në veçanti Marrëveshja për krijimin e Asociacionit, i cili do të ketë kompetenca shumë të gjera”, pati thënë kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Nuk donim negociata për çështje të brendshme të Kosovës, udhëheqeshin nga njerëz të kompromiseve me Serbinë”
Vetvëvendosje në atë kohë kundërshtoi bisedimet me Serbinë, por edhe pati protesuar.
“Kemi kundërshtuar jo sepse nuk donim kurrfarë dialogu me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, por sepse nuk donim negociata politike për çështje të brendshme të Kosovës. Për më keq, këto bisedime politike, e që në fakt ishin negociata për çështje të brendshme, udhëhiqeshin nga njerëz të kompromiseve me Serbinë. Ishin pa parime, pa kufizime dhe pa transparencë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Ndërsa, sot pas nëntë viteve, Vetvëndosja riktheson se marrëveshja e 19 prillit 2013 shkel në tërësi karakterin shumëetnik të Kushtetutës, por sipas tyre edhe parimin e vetëqeverosjes lokale.
Vetvëndosje thotë se është evidente që Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën, prandaj edhe nevojitet njohje reciproke ashtu siç edhe ka theksuar presidenti i SHBA-së, Joe Biden.
Në 9 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, zëdhënësi i BE-së Petër Stano, ka thënë se është koha për të ecur përpara dhe për të përfunduar me sukses procesion e dialogut.
Stano tha se me nënshkrimin e Marrëveshjes, Serbia dhe Kosova kanë marrë obligime të rëndishme ndërkombëtare, duke theksuar se të dyjat palët duhet të zbatojne gjithçka që janë rënë dakord.
“BE dhe vendet anëtare presin përparim të shpejtë nga të dyja palët, si dhe Beogradi dhe Prishtina të përfshihen seriozisht në të. Gjithashtu pritet nga të dyja palët të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura tashmë”.
Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka deklaruar se kjo marrëveshje është një gur historik në mbrojtjen e interesave kombëtare serbe në Kosovë.
Ai thotë se Beogradi “nuk duhet të heqë dorë nga insistimi në pikën kyçe të dokumentit për themelimin të Asociacionit të komunave Serbe” dhe se “zbatimi i marrëveshjes është kusht për normalizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
Petkoviq tha se kanë kaluar 3287 ditë nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe se siç tha ai “Prishtina ende refuzon ta zbatojë atë dhe ta themelojë Asociacionin e cila është “zemra e dialogut” dhe për shkak të së cilës, tha ai, Beogradi ka hyrë në procesin e normalizimit.
“Në këtë moment të vështirë, kur Evropa dhe e gjithë bota po përballen me krizën ukrainase, tregohet se sa e rëndësishme është formimi sa më i shpejtë i Asociacionit që siguron të drejta kolektive për popullin serb në Kosovë. Nëse duam paqe dhe stabilitet, duhet të kemi Asociacion”, ka thënë Petkoviq në përvjetorin e nënshkrimit të atij dokumenti.
Ndryshe, në mars të vitit 2011, qeveria e atëhershme filloi bisedimet politike me Serbinë, por që ajo që ka mbetur pa u zgjidhur është statusi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. /Gazeta Enigma/.