Ish-kampionia e Kosovës në futboll, Besa e Pejës, po turpërohet edhe në kategorinë e tretë (Liga e Dytë).
Humbjet 7:0, si ajo e të enjtes nga Behari në kuadër të xhiros së gjashtë, duket të jenë të zakonshme për skuadrën me nam nga Peja, qyteti që mburret me sportin.
Besa është mposhtur në të gjitha duelet që i ka luajtur deri më tani këtë edicion dhe atë me rezultat bindës. Zë vendin e fundit (16) në tabelë pa asnjë pikë, me vetëm dy gola të shënuar dhe plot 34 të pranuar. Është e vetmja skuadër pa pikë në kategorinë e tretë.
Dy gola Besa i ka shënuar në humbjen 5:2 në shtëpi nga Dardanët, në kuadër të xhiros së dytë.
Behari është skuadër e Vitomiricës, fshatit në hyrje të Pejës. Pra klubi që dikur bënte krenarë jo vetëm Pejën por një regjion të tërë, tani mposhtet me rezultat 7:0 nga ekipe fshatrash. Kjo vlerësohet dëshmi se Besa ka prekur fundin.
Para Beharit, Besa është mposhtur bindshëm edhe nga KEK-u, 6:0, Shkëndija, 7:0, Australia, 6:0, e Fortuna 2020, 3:0.
Këto rezultate të Besës nuk po mund t’i shohë ish-sulmuesi ikonik i saj, Haxhi Zeka. Në ditën që Besa u mposht 7:0 nga Behari, ekipi i veteranëve të Besës arriti fitore në Vushtrri.
Zeka, që u shqua me golat e tij në periudhën më të lavdishme të Besës, e di se humbjet e thella të ekipit pejan do të jenë të zakonshme deri në fund të këtij sezoni. Sipas tij, ekipi po luan sa për “sy e faqe”, nga ndeshja në ndeshje, në mënyrë që të mos shuhet përfundimisht.
Në të vërtetë, para fillimit të këtij edicioni kishte dilema për ekzistencën e Besës, por dhjetë ditë para se të fillonte kampionati në kategorinë e tretë, klubi nëpërmjet një njoftimi në “facebook” bëri të ditur se është regjistruar për të garuar në edicionin 2022/23.
Ky është edicioni i parë i Besës në këtë kategori, pasi sezonet e fundit i luajti në një rang më të lartë, në Ligën e Parë. Besa herën e fundit është paraqitur në Superligë në edicionin 2016/17, të cilin e mbylli me triumf në Kupën e Kosovës.
Ekipi pejan ka fituar tri herë Kupën e Kosovës, tri herë është shpallur kampion dhe ka të fituar një Superkupë. Titujt i ka fituar prej vitit 2005 e deri në vitin 2007.
“Besa po luan vetëm që të mos shuhet dhe kështu do të mundohet ta përfundoj këtë edicion në të cilin po turpërohet me humbje të thella. Ky është realiteti i hidhur i një ekipi me nam në futbollin e Kosovës, të cilin e kanë sjellë në këtë gjendje profiterët”, është shprehur Zeka. “Nuk po mund të besoj se kjo është Besa ime, për të cilën luajta gjatë gjithë karrierës. Me vjen keq kur po i shoh rezultatet e ekipit dhe atë në Ligën e Dytë”.
Sipas Zekës, Besa nuk ka fare ekip të seniorëve dhe në ndeshjet e Ligës së Dytë i angazhon futbollistët e ekipit U17. Ai thotë se ekipi i seniorëve nuk stërvitet fare.
Zeka fajëson pronarin e fundit i cili e privatizoi klubin dhe e la me borxhe të mëdha, pasoja të cilat po i vuan. Për gjendjen e Besës, Zeka fajëson edhe veten dhe bashkëlojtarët e siç e quan ai “gjeneratës së artë”. Ai thotë se nuk është dashur të lejojnë që persona të papërgjegjshëm të marrin klubin dhe ta shkatërrojnë.
“Faji për këtë gjendje në të cilën ka ardhur Besa është edhe te ne, pra ish-lojtarët, përfshirë edhe mua. Ne nuk kemi qenë të bashkuar dhe kemi lejuar që persona të papërgjegjshëm të futen në klub për përfitime të veta dhe ta sjellin në këtë situatë”, ka thënë Haxhi Zeka. “Besa luan me lojtarë të ekipit U17 dhe atë nga ndeshja në ndeshje, pasi nuk ka stërvitje të ekipit të seniorëve sepse nuk ka të tillë. Po ashtu, ekipi i parë as trajner nuk ka. Mund të ndodhë që nga ndeshja në ndeshje e merr dikush për ta udhëhequr. Pra, kjo është gjendja e Besës që ka ardhur si pasojë e atyre që e privatizuan dhe e futën në borxhe të mëdha”.
Sipas Zekës, njeriu i vetëm në klub është Adis Salihi që po mundohet ta mbajë Besën për të mos u shuar. Ai thotë se askush nuk ka shprehur interesim për ta marrë klubin, sepse po frikësohen kur po i shohin shifrat e borxheve. Insiston se kryesorja është që Besa të mos shuhet, ta përfundojë këtë edicion. Zeka shpreson se vitin tjetër ditë të mira do të vijnë për skuadrën pejane.
“Vetëm të mos shuhet Besa është e rëndësishme dhe për këtë arsye do të vazhdoj të luaj këtë edicion, përkundër humbjeve të thella dhe poshtërimit që do ta përjetoj. Deri më tani askush nuk ka shprehur interesim për ta marrë klubin, por ka gjasa që sezonin e ardhshëm. Edhe ata që po duan ta marrin po frikësohen prej borxheve të mëdha”, pranoi Zeka i dëshpëruar.