Nesër nis zbatimi i reciprocitetit për targat

Nesër nis zbatimi i reciprocitetit për targat

Qeveria e Kosovës, saktësisht Ministria e Punëve të Brendshme ka informuar se nga nesër nis implementimi i masës së reciprocitetit për targat ilegale serbe.

Në një njoftim për media thuhet se fushata informuese i drejtohet qytetarëve të cilët posedojnë targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA”, apo “ĐA”, e të cilët nga data 1 gusht 2022 deri me 30 shtator 2022 duke shpjeguar mënyrën si të aplikojnë dhe të pajisen me targa “RKS”.

Të gjitha fushatat si, video-spotet, komunikatat njoftuese, banerët dhe fletushkat, iu janë adresuar dhe shpërndarë të gjithë qytetarëve pa dallime (në gjuhët shqipe dhe serbe), me qëllim të informimit të tyre me kohë, dhënies së sqarimeve të nevojshme për procedurat dhe kriteret e parapara për pajisje me targa “RKS”.

“Ministria e Punëve të Brendshme është e angazhuar dhe do të vazhdojë të angazhohet maksimalisht për informimin e qytetarëve, asistimin në ndjekjen e hapave të nevojshme dhe mbarëvajtjen e procesit. Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve kanë vazhduar më tej me përgatitjet në të gjitha komunat në Republikën e Kosovës, për të mirëpritur të gjithë pronarët e automjeteve”, thuhet në njoftim.

Nga 1 gushti, të gjitha makinat që kanë targa serbe me emrat e qyteteve të Kosovës, mund të regjistrohen në RKS – Republika e Kosovës – deri më 30 shtator. Këto targa, që lëshohen nga autoritetet e Serbisë, konsiderohen ilegale në Kosovë. Të dyja vendet kanë marrëveshje për këtë çështje, por ajo nuk është zbatuar asnjëherë në përpikëri.

Related Articles