Dëshmitari i radhës në gjykimin e ish-krerëve të OVL-UÇK, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, do të vazhdojë nesër dëshminë e tij.
Ai ka filluar të marten, dëshminë në Gjykatën Speciale, ku ka thënë se edhe pse ndihet i lumtur që gjendet në Hagë, atje ishte dërguar pa dëshirën e tij.
Prokuroria ka pyetur dëshmitarin, i cili është gazetar nga Kosova, nëse është kujdesur për të ruajtur konfidencialitetin e materialeve që kishte marrë nga OVL e UÇK-së.
Në anën tjetër, gazetari ka deklaruar se shkrimet të cilave po iu referohet Prokuroria, kanë qenë të bazuara në dokumentet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ndërsa janë redaktuar nga redaktorët e mediumit ku ai ka punuar.
“Ne kemi kontaktuar edhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin rreth këtyre dokumenteve”, ka thënë gazetari.
Ai ka thënë se më vonë janë kontaktuar nga punonjës të Speciales të cilët kishin ardhur në zyrën e mediumit ku ai ka punuar dhe pas rishikimit të dokumenteve, të njëjtat i kanë marrë me vete.
Dëshmia e gazetarit në gjykimin e Haradinajt dhe Gucatit vazhdon nesër. /Gazeta “Enigma”/