Analisti amerikan, Daniel Serwer kërkon nga Bashkimi Evropian largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa thekson nevojën që sa me shpejtë përgjegjësit e sulmit terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit të vihen para drejtësisë.
Krahas këtyre, ai deklaron se raportet Kosovë-ShBA janë në një kohë të vështirë, mirëpo shton s’ka ndryshuar asgjë sa i përket qëllimeve për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Njohësi amerikan i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor thotë për KosovaPress, se në kuadër të riformatimit të dialogut duhet të shkohet më shumë drejt përafrimeve në çështje praktike në teren, sesa drejt normalizimit politik.
Megjithëse deklaron se emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak e njeh Ballkanin Perëndimor më shumë se çdo diplomatë që ka shërbyer në rajon, sipas tij i njëjti ka dështuar në dialog.
Profesori amerikan e konsideron të domosdoshme largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Duke folur për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, Serveri thotë se përgjegjësi i këtij sulmi, Milan Radoiçiq duhet të dorëzohet organeve të drejtësisë në Kosovë.
Sa i përket raporteve Kosovë-ShBA, analisti amerikan thotë se rrethanat kanë qenë pak të vështira në këtë kohë, mirëpo siç deklaron ai s’ka ndryshuar asgjë nga objektivat amerikane për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti ka qëndruar gjatë kësaj jave në Bruksel, në kuadër të dialogut, mirëpo ai ka zhvilluar takim vetëm me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nuk është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Kurti para se të takohet me Vuçiq ka kërkuar nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, tërheqjen e letrës së ish kryeministres serbe, Ana Bërnabiq ndaj vendeve të BE-së se nuk zbatojnë nene të caktuara të marrëveshjes dhe dorëzimin e Radoiçiq organeve të drejtësisë në Kosovë./KP