PSG ishte një skuadër e ndërtuar shprehimisht për të fituar Ligën e Kampionëve.
Disfata ndaj Real Madridit, jo vetëm për shkak të rezultatit, por edhe prej imazhit të dhënë në “Santiago Bernabeu”, është shoqëruar me kritika ndaj lojtarëve parisienë.
Kështu, Daniel Riolo, gazetar francez dhe bashkëpunëtor i rregullt i RMC Sport, ka bërë një postim disi të tepruar në Twitter, duke iu drejtuar Neymarit me fjalë të ashpra.
“Duhet të largohet, nuk është më futbollist profesionist. Duhet të shkojë në javën e modës, ai është një idiot”, thuhet në reagimin e tij.
Futbollisti brazilian është më se i mësuar të marrë këtë lloj kritikash, por këtë herë i është dashur të luftojë edhe me ata që pretendonin se ishte grindur me Gianluigi Donnarumman në dhomat e zhveshjes.
Duhet theksuar se Neymar asistoi në golin e parë të Mbappe, por 222 milionët që u paguan për ta marrë atë nga Barcelona vazhdojnë të peshojnë shumë.