UNUM Festival në Shëngjin, pasaportë për promovimin turistik të Shqipërisë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Mirela Kumbaro, takoi organizatorët e këtij festivali, të cilët presin mbi 15.000 pjesëmarrës nga e gjithë Evropa e bota.
Ministrja Kumbaro u shpreh se ky festival, që është pasaportë për promovimin turistik të Shqipërisë, organizohet te Rana e Hedhun, nën shenjën e mjedisit.
“Me çunat e Kosovës që e organizojnë UNUM Festival në Shëngjin të Shqipërisë dhe presin mbi 15,000 pjesëmarrës nga e gjithë Evropa e bota”, u shpreh Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.
“Nga 1 deri në 6 qershor, super eventi që është pasaportë për promovimin turistik të Shqipërisë organizohet te Rana e Hedhun, nën shenjën e mjedisit. Turizëm pa pastërti nuk ka dhe prandaj e nisëm duke mbledhur mbetjet në bregdet para se të vijnë miqtë”, theksoi Kumbaro.
UNUM Festival, organizohet me masa konkrete për mbrojtjen e mjedisit me hapësirë riciklimi, uorkshope edukative për riciklimin, joga e sporte në natyrë muzikë dhe art dhe vullnetarë që do të sensibilizojnë dhe mbledhin mbetjet gjatë ditëve të festivalit.
Ky festival mishëron idenë e unitetit dhe pozitivitetit, dy aspekte kryesore që janë përfshirë brenda muzikës ‘house’ dhe tekno që shërben si politika kryesore muzikore e festivalit.
Për organizatorët e këtij festivali, Rana e Hedhun është vendi ku emri i festivalit ka kuptim, me muzikën dhe peizazhin që vijnë së bashku për të formuar një ëndërr të lumtur; të erës që fluturon butësisht nëpër pemë pishe. Të gjitha të vendosura në një sfond malor, hapësirë ideale për të dëgjuar shumë artistë të respektuar nga e gjithë bota.
Me një pamje të rrallë mesdhetare, Rana e Hedhun, 3-4 kilometra larg Shëngjinit, është kthyer në një prej destinacioneve që vizitohet nga turistë të shumtë, vendas e të huaj./ATSH