Largimi i Romelu Lukakut nga Interi te Chelsea verën e kaluar, ishte një dramë për zikaltrit, megjithatë në Milano mbërriti Edin Dzeko, që ka bërë mirë punën e tij në sulm dhe tani askush nuk po e “qan” më sulmuesin belg.
Romelu Lukaku kërkoi me ngulm rikthimin te Chelsea, megjithatë deri tani ka treguar shumë pak nga repertori i tij dhe kur kanë kaluar katër muaj në “Stamford Bridge”, ai nuk shihet më si titullar nga Thomas Tuchel.
Me fanellën e Interit belgu shënoi 64 gola në 95 ndeshje, me një mesatare prej 0.67 golash për ndeshje, ndërsa në Angli ka shënuar vetëm 4 gola në 13 ndeshje të luajtura në të gjithë garat me Chelsean.
Për më tepër, një dëmtim ndaj Malmos e la jashtë fushave për disa javë dhe në të njëjtën kohë, Thomas Tuchel pa që Chelsea i tij funksiononte më mirë pa Lukakun në majë të sulmit, pasi po shënojnë të gjithë, ndërsa Timo Werner po e bën në mënyrë perfekte sulmuesin fals.
Pikërisht për këtë arsye, në dy ndeshjet e fundit Romelu Lukaku është ulur në stol, teksa ka luajtur vetëm 29 minuta në përballjen ndaj Watfordit në mesjavë, por sërish pa ia dalë të lërë gjurmë.
Ndonëse paguan 115 milionë euro për ta marrë nga Interi, te Chelsea duket se janë gati ta mbajnë në stol belgun, për sa kohë skuadra funksionon më mirë pa të në fushë dhe arrin të marrë rezultat. /Gazeta Enigma/.